Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot seancë dëgjimore me OST dhe AKBN

  • Postuar më, 17/02/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot seancë dëgjimore me Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Të pranishëm në mbledhje ishin Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit z. Engjëll Zeqo, Gledian Llatja, Drejtor i Drejtorisë juridike dhe Ervin Shehaj, Drejtor i Drejtorisë së Energjisë së Rinovueshme në AKBN.

Në fjalën e tij, z. Zeqo theksoi se projektligji i paraqitur për sektorin e energjisë elektrike zgjidh disa problematika si edhe është në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Europian për sektorin e energjisë. “Sa i përket ligjit, do të them që ky ligj që është i përgatitur nën kryesimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë me pjesëmarrjen e tre shoqërive siç jemi, transmetim, shpërndarje dhe gjenerimin, në bashkëpunim me USAID-in dhe Këshillimin e Inspektoratit të Komunitetit të Energjisë, reflekton parashikimin e paketës së tretë legjislative të komunitetit evropian. Si i tillë ai vjen me një optikë të re të organizimit të tregut të energjisë elektrike, me synim për ta hapur gradualisht atë deri në krijimin e një tregu plotësisht të ligjshëm dhe për të qenë në dobi të konsumatorëve të energjisë elektrike dhe uljes së kostos së energjisë”,- tha z. Zeqo, duke shtuar se me projektligjin e ri është parashikuar se OST-ja, duhet të jetë i pavarur dhe se deri në janar të vitit 2016, Qeveria duhet të përcaktojë pronarin e ri të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

Ndërsa Gledian Llataj, Drejtori i Drejtorisë Juridike në AKBN, u shpreh dakord me projektligjin, duke shtuar se: “Parimisht ne me ligjin jemi dakord, është një ligj i mirë. E kemi mbështetur që në fillim nismën e Ministrisë dhe të OST-së dhe OSSH-së”.

Më pas deputetët vijuan komentet lidhur me projektligjin, ku përfaqësuesit e OST-së dhe të AKBN-së iu përgjigjën interesit të tyre. Në fund të mbledhjes kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, z.Eduart Shalsi tha se seancat dëgjimore për projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” do të vijojnë edhe në mbledhjet e ardhshme.