Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 17/02/2015

Anëtarët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat shqyrtuan Dekretin nr. 8899, datë 16.01.2015 “Për kthimin e ligjit nr. 181/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.

Ministri Për Financat, Shkëlqim Cani tha se ndryshimet e propozuara krijojnë lehtësira në daljen në tregjet ndërkombëtare. Sipas tij, pretendimet e Presidentit se merren më shumë kompetenca, Ministri i Financave sqaroi se për marrëveshje mbi kufirin e borxhit do të jetë Kuvendi që do vendosë.

Deputeti demokrat Ridvan Bode, kërkoi që të merren parasysh pretendimet e Presidentit të Republikës, ndërsa akuzoi qeverinë se po anashkalon kushtetutën duke i dhënë më shumë kompetenca Ministrisë së Financave.

Relatori i këtij dekreti, Anastas Angjeli, sqaroi se argumentet e presidentit për kthimin e këtij ligji nuk janë shterues, por kanë pamjaftueshmëri argumentesh.

Pas diskutimeve, shumica e anëtarëve në komision vendosi të rrëzojë Dekretin nr. 8899, datë 16.01.2015 “Për kthimin e ligjit nr. 181/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.

Më pas anëtarët vijuan diskutimin  e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”të ndryshuar, i cili u miratua.

I njëjti projektligj u miratua me konsensus dhe në Komisionin për Integrimin Europian.