Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u mblodh për t’u njohur dhe diskutuar me informacionin e marrë nga Ministria e Kulturës në lidhje me Kulturën e Komanit

  • Postuar më, 16/02/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u mblodh për t’u njohur dhe diskutuar me informacionin e marrë nga Ministria e Kulturës në lidhje me Kulturën e Komanit.

Këshilltari i komisionit, z. Muhamet Bela lexoi një memo në lidhje me këtë çështje, ku theksoi se kultura e Komanit përbën një prej qendrave më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike, e cila ka filluar të shfaqet që në shekullin e kaluar, kur një konsull francez në Shkodër bëri kërkime arkeologjike në atë zonë.

“Është arritur gjuha e kompromisit në parim për ruajtjen e siteve arkeologjike që të mos dëmtohen. Gjithsesi, kjo i është lënë OST-së dhe është rënë dakord që ta studiojnë mirë këtë problem me qëllim që të mos dëmtojnë sitet arkeologjike, veçanërisht zona B është shumë e pasur. Unë do të gjykoja që të ftohet edhe Ministrja e Kulturës për të folur në tërësi për të gjithë problematikën e trashëgimisë kulturore, të cilat mund të përmirësohen më shumë në të ardhmen”, tha z. Bela.

Anëtarët e Komisionit të për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik kanë kërkuar rishikimin e vendimit që parashikon kalimin e linjës së tensionit të lartë në vendbanimin e periudhës iliro-arbërore në zonën e Komanit.

Deputetët kanë kërkuar që Ministria e Kulturës, e cila ka aprovuar projektin e energjetikes, të japë sqarime mbi këtë vendim, që dëmton rëndë një pjesë thelbësore të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

“Shpallja e zonës A dhe zonës B, mesa duket është bërë pasi është marrë informacioni që në zonën B të ardhshme do të kishte linja të tensionit të lartë. Çështja është si do jetë zgjidhja, sa në favor të kulturës së Komanit dhe sa në dobinë ekonomike të OST-së në përputhje me mundësitë teknike dhe me penalitetet e mundshme. Këtu flitet për shifra të larta, në qoftë se anulohet projekti, por jo nëse spostohet teknikisht projekti”, tha kryetari i komisionit, Genc Pollo.

Deputeti i PS-së, Fatmir Toçi u shpreh se humbja që mund të vijë nga dëmtimi i një pasurie të tillë kulturore është me përmasa të jashtëzakonshme. “Interesi ekonomik është shumë i madh, por një interes ekonomik mund të rikuperohet, ndërsa humbja që mund të vijë nga dëmtimi i një pasurie të tillë kulturore është me përmasa të jashtëzakonshme. Unë do të propozoja që në bisedat mes institucioneve ne të ishim pjesë”, theksoi z. Toçi.

Gjatë diskutimeve u theksua fakti se vendimi për të lejuar ndërtimin e katër shtyllave të tensionit të lartë do të shkaktonte dëme serioze mbi këtë zone arkeologjike.