Komisioni hetimor për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për administrimin e të dhënave shtetërore tatimore dhe për të verifikuar fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit të sistemeve elektronike tatimore diskutoi komunikimin me institucionet

  • Postuar më, 16/02/2015

Komisioni hetimor “Për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar më thellë fenomenin e ndërhyrjes dhe të bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore” diksutoi lidhur me komunikimin me institucionet për mbledhje dokumentacioni.

Kryetari i Komisionit, Arben Ristani u shpreh se është përgatitur nga opozita një kërkesë për të siguruar informacion drejtuar agjencisë kombëtare, Ministrisë së Financave, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ku duhet pyetur dhe për të drejtën që ka KLSH-ja për të kopjuar bazën e të dhënave tatimore.

“Do t'i kërkojmë KLSH-së se mbi cilin ligj bazohen nëse thonë që kemi të drejtë. Dhe a ka patur praktika institucioni i KLSH-së ku domosdoshmërisht duhet të kontrolloheshin të dhëna të administratës tatimore të cilat nuk janë vënë në dispozicion dhe si është zgjidhur çështja nëse ka pasur çështje të ngjashme”, deklaroi z. Ristani. Gjithashtu, kryetari i komisionit theksoi se do të kërkohet informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në lidhje me kopjet e planit të Auditit të ardhur nga Ministria e Financave. “Do të kërkojmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve se çfarë të dhënash janë dëmtuar me datë 21 nëntor të vitit 2013, masat e marra dhe veprimet e kryera për rikthimin e sistemit në gjendje pune”, theksoi Ristani.

Deputeti i PS-së, Ervin Bushati u shpreh se komisioni duhet t’i mundësojë dhe dëshmitarëve të tjerë që të mund të vijnë të dëshmojnë, ndërsa z. Ristani shtoi do t’i kërkohet informacion edhe mbi kopjimin e të dhënave fiskale. Përdorimi i fjalës “kopjim” sipas përfaqësuesve të mazhorancës në komision është i panevojshëm dhe paragjykues, pasi sipas tyre hetimi është në fazën fillestare dhe nuk është verifikuar që të dhënat janë kopjuar. “Nuk kemi pse të përdorim fjalën kopjim derisa nuk kemi asnjë të dhënë që tregon se aty është kopjuar”, tha deputeti i PS-së, Blendi Klosi. Anëtarët e komisionit u përfshinë në debate me lidhje me termat që do të përdoren gjatë komunikimeve zyrtare.