Nënkomision për Qeverisjen Vendore zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësues të grupeve të interesit për projektligjin mbi funksionimin e qeverisjes vendore

  • Postuar më, 16/02/2015

Nënkomision për Qeverisjen Vendore zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësues të grupeve të interesit për shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar”.

Të ftuar në mbledhje ishin përfaqësues nga Shoqata e Bashkive, nga Shoqata e Komunave të Shqipërisë, nga Shoqata e Qarqeve, nga Shoqata e Autonomisë Vendore, nga Këshilli i Europës si edhe përfaqësues të OJF-ve.

Përfaqësues të Shoqatave të Bashkive dhe Komunave të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të qarqeve kanë shprehur rezervat e tyre lidhur me projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.

Në vërejtjet e tyre, përfaqësuesit e njësive vendore theksuan tre linja kryesore. E para lidhet me mënyrën e formimit të Këshillave të Qarkut, e dyta, lidhur me konsultimet me pushtetin qendror dhe e treta, problemi që lidhet me përzgjedhjen e administratorit. Problem ky, që sipas grupeve të interesit lidhet direkt me strukturën e re të Bashkive dhe administratorëve të saj, pasi nuk do të ketë më komuna.

“Në reformën Administrative nuk janë prekur Qarqet, duke i lënë sërish në hallkën më të dobët të sistemit. Veçanërisht përzgjedhja e Këshillave të Qarkut është një problem i madh, ku Tirana dhe Fieri faktuan më së miri këtë shqetësim”, tha z.Tasim Mema, përfaqësues i Shoqatës së Qarqeve, i cili shtoi se me këtë reformë Qarku del jashtë loje.

Z.Artan Shkëmbi, Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, si edhe kryetari i Shoqatës për Autonominë Vendore, duke vlerësuar se reforma territoriale ishte thelbësore për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit, nënvizoi se Neni 5 ka nevojë për sqarime. “Shqetësim kryesor është çështja e konsultimeve me Qeverinë, pasi nuk ka asnjë udhëzim me ligj se cili do të jetë përfaqësuesi i bashkive që do bëjë këto konsultime. Nga ana e qeverisë konslutori caktohet nga kryeministri, po tek Bashkitë kush do të jetë?, ndërsa vlerësoi se duhet një sqarim për këtë”, theksoi Shkëmbi, teksa nënvizoi se ligji për reformën territoriale ka kapërcyer pritshmërinë e bashkive.

Deputeti i Partisë Demokratike, z.Arben Ristani në fjalën e tij, duke rreshtuar problematikat e parashtruara nga përfaqësuesit e njësive vendore, u shpreh se ky projektligj, por dhe reforma territoriale në tërësi, nuk është hartuar për të zgjidhur problematikën e qytetarëve dhe të zgjedhurve vendor. Nga krahu tjetër, Kryetari i Nënkomisionit të Qeverisjen Vendore, z.Bashkim Fino u shpreh se për reformën territoriale opozita kishte të gjithë lirin e mundshme për të bërë propozimet e saj dhe nuk u paraqit asnjë ditë në komisionin e ngritur për atë punë. “Opozita parlamentare kishte kohën e nevojshme për të bërë propozimet e saj dhe asnjëherë nuk u paraqit për shkak të çështjes së saj politike. Në gjykimin tonë, kjo reformë territoriale forcon njësitë vendore, duke i dhënë Kryetarëve të Bashkisë më shumë kompetenca, pasi do të jenë ata që do të përzgjedhin administratorin dhe ky i fundi do të ketë kompetenca të përafërta me nënkryetarin e bashkisë. Gjithashtu është e vërtet që nuk është prekur Qarku dhe Këshilli i Qarkut, por kjo vjen pasi duhet ndërhyrje në kushtetutë me 2/3 e votave në Kuvend dhe për këtë nevojitet opozita”, tha z.Fino.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, në fjalën e tij u shpreh se vërejtjet mund të jenë të drejta, por duhet theksuar se reforma territoriale është më e rëndësishmja pas hartimit të Kushtetutës. “Nëse keni vërejtje jeni të lutur ti parashtroni me shkrim dhe ne do jemi të gatshëm ti marrim në shqyrtim. Kjo reformë është thelbësore dhe është reforma e dytë më e rëndësishme pas asaj Kushtetutës”, nënvizoi z. Majko.

Në fund, grupet e interesit ranë dakord për një takim të dytë, ku vërejtjet do të paraqiten me shkrim për t’u rikonsultuar.