“Aleanca e Grave Deputete” zhvilloi sot një konferencë shtypi

  • Postuar më, 16/02/2015

“Aleanca e Grave Deputete” zhvilloi sot një konferencë shtypi ku bëri me dije iniciativën e saj më të fundit për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë. I pranishëm në këtë takim ishte dhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Florian Rauning si dhe përfaqësues të shumtë nga shoqëria civile. Kryetarja e “Aleancës së Grave Deputete”, Mesila Doda tha se kjo iniciativë është një premtim i mbajtur për krijimin e këtij grupimi brenda parlamentit. Znj. Mesila Doda falënderoi koleget deputete për mbështetjen si dhe krerët e partive kryesore politike. “Unë gjej rastin të falënderoj koleget e mia të cilat kanë qenë të bashkuara në propozimet që ne kemi bërë për rritjen e pjesëmarrjes së gruas dhe rritjen e rolit në vendimmarrjen politike. Kjo është strukturë e popullsisë, ku rreth 50 për qind janë gra, të njëjtin reflektim duhet të ketë edhe në strukturën politike të vendit në vendimmarrje. Një falënderim shkon për krerët e partive politike kryesore në vend, për Kryetarin e Kuvendit, për Kryetarin e opozitës, Kryetarin e mazhorancës , të cilët kanë qenë absolutisht dakord dhe e kanë mbështetur këtë iniciativë me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së gruas në këshillat bashkiake dhe në listat shumëemërore, por dhe në rritje numrit të tyre në përballjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale”, tha znj. Doda e cila kërkoi që në procesin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, të jetë pjesëmarrëse edhe një përfaqësuese nga “Aleanca e Grave Deputete”. Nënkryetarja e “Aleancës së Grave Deputete”, Mimoza Hafizi, shpjegoi disa nga ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor. “Ndryshimet konsistojnë në tre pika kryesore. E para meqenëse në kodin aktual pranohet që në frymën e përgjithshme 30 për qind e listës shumëemërore të partive politike të jetë gra, dhe një nga tre emrat e parë të jetë grua, ne kërkojmë që për çdo tre emra, të jetë të paktën një grua. Një ndryshim i rëndësishëm është dhe te sanksionet. Meqenëse sanksioni i mosplotësimit të kushtit ka qenë gjoba e cila është marrë përsipër nga të gjitha partitë politike, ne kërkojmë që lista të refuzohet. Risi është dhe ajo e përballjes në mazhoritar për zgjedhjet vendore. Ne kemi vënë një limit te 20 për qind. Besojmë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore të realizojmë minimalisht 33 për qind të grave në këshillat e ardhshëm bashkiak dhe në Parlamentin ardhshëm”, tha znj. Hafizi. Deputetja Silva Caka u shpreh se ndryshimet që propozohen në Kod synojnë shtimin e numrit të grave në parlament. “Unë jam një nga vajzat e reja, e cila e kam marrë këtë post për shkak të ndryshimeve të ndodhura në Kodin Zgjedhor para disa vitesh dhe jam e lumtur, jo vetëm për veten time, por për të gjithë kontingjentin e grave që janë sot në Parlament. Duke qenë se ne kemi “përfituar” prej kësaj kuote gjinore, jam e lumtur që jam pjesë përbërëse komplementare e këtij ndryshimi që ne po propozojmë sot. Me fjalë të thjeshta, kjo përkthehet në shtimin e numrit të grave në Parlament dhe konkretisht në dhënien e një shansi shumë të madh grave dhe vajzave të reja të cilat aspirojnë që të bëhen pjesë”, tha znj. Caka.