Kuvendi zhvillon interpelancë me Ministren e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, të kërkuar nga grupi parlamentar i PD-së

  • Postuar më, 12/02/2015

Në seancën e sotme plenare u zhvillua edhe interpelanca me Ministren e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli të kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Duke marrë fjalën në Kuvend në emër të grupit parlamentar të PD-së, deputeti Gent Strazimiri, i kërkoi Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, të përgjigjet lidhur me akuzat për përfshirjen e strukturave të ministrisë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas z. Strazimiri, Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen e disa javëve më parë dhe se deri më tani qeveria ka bërë vetëm propagandë boshe. “Ditët e fundit opinioni publik është njoftuar se një oficer i Ministrisë së Mbrojtjes u përfshi në një aktivitet ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike. Jo vetëm se institucioni i Ministrisë së Mbrojtjes është përfshirë në këtë skandal, por ky institucion po prish imazhin e Shqipërisë në NATO dhe mundësinë që duhet të kenë forcat e armatosura për të zbuluar dhe hetuar raste kriminale. Deputetët e opozitës janë të shqetësuar për prishjen e imazhit të Shqipërisë si aleate e NATO-s, ndaj kërkojnë interpelancë me Ministren e Mbrojtjes, znj. Kodheli, që të shpjegohet për këtë fakt dhe të mbajë qëndrim publik dhe përgjegjësi në përputhje me nenin 89 të Rregullores së Kuvendit, ku thuhet se një grup deputetësh mund të kërkojnë thirrjen në interpelancë në raste urgjente”, tha deputeti i PD-së, Strazimiri. Në përgjigje, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u shpreh se majori Sokol Feka, i cili mbeti i vrarë në Spanjë teksa po transportonte lëndë narkotike me helikopter, mbarte mbi kurriz dy precedentë penalë gjatë viteve 2005-2008, për të cilat qeveria e shkuar nuk ka lëvizur asnjë gisht për të marrë masa. Sipas Ministres, çështja “Feka” prek disiplinën e Forcave Ushtarake dhe kërkon një analizë të gjerë mbi gabimet e bëra, pasi ushtarakët duhet të jenë modeli i shoqërisë sonë. “Majori Feka mashtroi sistemin. Ai mori leje të zakonshme, por kurrë nuk kërkoi leje për t’u larguar nga Shqipëria”, tha znj. Kodheli, teksa dha një informacion të gjerë të historisë së majorit Feka në Forcat e Armatosura. “Majori Feka kishte një karrierë 18-vjeçare në Forcat e Armatosura Shqiptare. Ai iu bashkua ushtrisë në një kohë të vështirë dhe me ndryshime rrënjësore për ushtrinë. Ai u titullua oficer në vitin 1996, pas përfundimit të Akademisë. Deri në vitin 2001, Feka ka shërbyer si pilot në Farkë. Edhe ai, si gjithë të tjerët, bëri trajnime për t’u përshtatur si pilot helikopteri. Ky major, është dënuar dy herë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitet 2005 dhe 2007. Ai është akuzuar për dy shkelje të rënda, largim pa leje dhe mosparaqitje në detyrë. Në të dyja rastet, majori ka pranuar akuzat dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar duke vuajtur dhe dënimin e caktuar nga gjykata”, u shpreh Ministrja e Mbrojtjes. “Por majori nuk u ndal me kaq, pasi ai është dënuar të paktën edhe katër herë të tjera për kundërvajtje administrative. Në 2007-n për mosparaqitje në detyrë, duke iu ndërprerë paga. Me urdhër të komandantit i është bërë ndërprerja e pagës në janar 2008 dhe 2009, kur është gjobitur me 1/20 e pagës dhe gjithnjë problem kane qenë mungesat e paargumentuara. Por edhe pse ky individ ishte dënuar, atij sërish i është besuar misioni i rëndësishëm i të qenit major, duke ndërmarrë mbi supe misione të rëndësishme për vendin tonë. Pyesni veten zotërinj të opozitës, se si forcat e inteligjencës nuk e vunë re këtë problematikë. Në vitin 2009, Feka kërkoi procedurat të jetë major dhe këtu shihet qartë se superiori i tij vlerëson të mos gradohet dhe me gjithë këtë vlerësim të qartë, atij i është dhënë grada major. Por, ky nuk është i vetmi gradim jashtë kriteri gjatë qeverisjes tuaj, për këtë duhet një interpelancë tjetër”, tha znj. Kodheli, duke iu drejtuar opozitës. Në vijim të sqarimit të çështjes Feka, Ministrja Kodheli tha se majori kishte kërkuar të merrte edhe certifikatën e sigurisë. “Majori është dekoruar tre herë dhe kjo në kundërshtim me të gjitha rregullat, pasi edhe pse mund të ketë pasur aftësinë, kishte shkelje të rënda në disiplinë dhe kjo është më e rëndësishme se gjithccka tjetër”, nënvizoi znj. Kodheli. “Por, majori nuk u ndal me kaq, ai kërkoi edhe certifikatën sekrete të sigurisë, marrja e të cilës i jep mundësi majorit të njihet me informacionet më sekrete të vendit tonë. Ai këtë kërkesë e bëri në vitin 2013 dhe për çudi asnjë prej institucioneve SHIU, Policia Ushtarake, etj., nuk gjetën asnjë problem në biografinë e këtij majori. E dini përse?! Sepse Feka u mjaftua të sillte në dosjen e tij një dëshmi penale ku shkruhej se majori në fjalë nuk kishte asnjë procedim apo gjykim gjatë periudhës janar-mars 2013. Teksa marrja e një certifikate të tillë kërkon një analizë të detajuar të gjithë historisë së ushtarakut dhe më tej ky person intervistohet dhe pavarësisht të gjithave, Shërbimet Sekrete të Ushtrisë i kërkuan shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë pranimin e kësaj kërkese dhe kjo ka ndodhur e gjitha kur ministër ishte një burrë që kishte dritaren nga parku Rinia”, theksoi znj. Kodheli, e cila shtoi se e gjithë kjo histori ka marrë jetë pikërisht në momentet kulmore të integrimit tonë në NATO, ndërsa “ne” gradonim një ushtarak që ishte larguar 102 herë nga ushtria pa leje me certifikatë sigurie. Si replikë deputeti i PD-së, Strazimiri u shpreh se do t’i propozojë grupit parlamentarë të PD-së ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes. “Rasti është shumë specifik sepse ka të bëjë direkt me sigurinë kombëtare. Dhe siguria jonë kombëtare për fatin e mirë apo të keq të Aleancës cenon direkt sigurinë e Aleancës. Informacion e sensitive që unë në këtë interpelancë nuk mundem dot për shkak të përgjegjshmërisë së një shtetari t’i them dhe t’i bëj publike. Për këtë arsye kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar të PD-së që të ngrihet një Komision Hetimor që ta shohë deri në detaje veprimtarinë e zonjës Ministre, e cila ka bërë dëme të pallogaritshme për ushtrinë”, u shpreh ndër të tjerash z. Strazimiri.