Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 12/02/2015

Nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare për të miratuar disa projektligje të rëndësishme në fushën e ekonomisë dhe mjedisit. Në qendër të diskutimeve në Kuvend ishin zonat e përmbytura në vend si dhe situata e rendit publik, pas vendosjes së lëndës eksplozive në disa zona të Tiranës, brenda një kohe të shkurtër. Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.9867,datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Robert Bitri tha se nga ana e përmbajtjes, projektligji ka për qëllim të sigurojë një përputhje të plotë me dispozitat e Konventës së CITES “Për tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër” me legjislacionin kombëtar, Konventë në të cilën Shqipëria është palë që prej shtatorit 2003. Sipas tij, ndryshimi i propozuar ka si qëllim të korrigjojë një gabim në zbardhjen e tekstit të ligjit nr. 9867, datë 31.01.2008 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të tregtimit ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër”, të ndryshuar. Në të njëjtën kohë, synohet respektimi i procedurave të këshillimit të detyruar paraprak me autoritetin shkencor të përcaktuar (Qendra Kërkimore për Florën dhe Faunën pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës) përpara marrjes së vendimit për dhënien e një leje apo certifikatë eksporti ose importi për llojet e listuara në Anekset e Konventës, që rrezikohen nga tregtia ndërkombëtare e tyre. “Sot, në sajë të moratoriumit të gjuetisë shohim shpendë në qiellin shqiptar, dhe kafshë të egra brenda territorit tonë. Në më pak se një vit moratorium fauna e egër është rigjallëruar ndjeshëm. Përgjatë kësaj periudhe, vërehet se punohet fuqishëm për përmirësimin e kuadrit ligjor në lidhje me gjuetinë. Ky ligj synon gjithashtu të kontribuojë në ruajtjen e llojeve të faunës së egër dhe të habitateve të tyre si dhe respektimin e të drejtës së gjuetisë dhe të drejtave mbi gjahun, mbi trofetë e produktet e gjuetisë dhe të tregtimit të tyre etj. Vitin e dytë të moratoriumit pritet një shtim edhe më i madh i faunës së egër. Ndaj, për të gjitha arsyet sa thamë më sipër, për të mos e ndalur në asnjë moment angazhimin tonë për çështjet mjedisore, ky projektligj duhet mbështetur”, tha z. Bitri. Ky projektligj u miratua me 107 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Më pas, Kuvendi vijoi me diskutimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar. Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho shprehu disa kritika në lidhje me projektligjin e paraqitur nga qeveria, veçanërisht me atë të emërimit dhe të shkarkimit të punonjësve të sporteleve. “Deri më sot nënpunësit e sporteleve të komunave dhe të bashkive konsideroheshin nënpunës të këtyre njësive vendore , që emëroheshin nga titullarët e krerëve të këtyre bashkive dhe të komunave. Këtej e tutje, emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhet me miratimin titullarit të QKR-së. Pra, askush nuk mund të fillojë punë, dhe ndryshimet do të bëhen me miratimin e titullarit të QKR-së. Do të hiqen ata që konsiderohen politikisht jo korrekt dhe do të emërohen ata që drejtuesit “Rilindas” të QKR-së i konsiderojnë politikisht korrekt. Pra që do të thotë, duhet të jenë prurje nga kjo mazhorancë”, tha z. Spaho, ndërsa shtoi se gjatë kësaj kohe janë ngushtuar hapësirat e biznesit nga taksat. Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati tha se përmes këtyre ndryshimeve përmirësohet klima për biznesin. “Në radhë të parë të përmirësojnë klimën e biznesit duke liberalizuar ekonominë, duke hequr rregullimet e tepërta dhe duke hequr shiritat e kuq që e pengojnë shpesh herë ekonominë, duke ulur shkallët e aplikimeve apo shkallët burokratike që duhet të ndërmarrë një biznes, për ta bërë sa më të thjeshtë për bizneset, të cilat në fakt janë motori i vetëm i zhvillimit të kësaj shoqërie”, tha z. Bushati. Në fjalën e tij në seancë plenare, z. Bushati tha se është bërë një punë e admirueshme nga kjo qeveri, duke arritur që të lehtësojë sa më shumë punën e biznesit dhe të përmirësojë sa më shumë klimën e zhvillimit ekonomik në Shqipëri. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli tha se projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përmban garancinë e nevojshme për t’u bërë krah me zhvillimet e synuara nga programi qeverisës dhe veçmas programi i Ministrisë së Linjës, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. “Ky projektligj, përmban marshin e duhur që nëpërmjet respektimit të parimeve , si konçiziteti dhe konkretizimi të shkurtojë kohë e të thjeshtësojë procedura. Të dyja këto parime që përmendim, kanë qenë ne interes dhe kërkesë e vazhdueshme e investitorëve dhe sipërmarrësve seriozë të interesuar për vendin tonë. Në thelb, ky projektligj, dëshmon përqasjen krejt ndryshe e krejt të drejtë , praktike që Qeveria bën ndaj kësaj kategorie , jo pak të vuajtur nga sorollatjet që i është bërë biznesit dhe burokracitë e pakuptimta të së shkuarës. Po aq, mënyra si qaset ky projektligj, dëshmon edhe respekt e vullnet të mirë për vendin dhe fatet ekonomike të tij”, tha z. Kadeli. Projektligji u miratua me 102 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Gjatë diskutimit të projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr.10083, datë 23.2.2009, “Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, AVN AG, Statkraft as dhe Devoll Hydropower sha si bashkëkoncesionarë për projektin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, deputeti i Partisë Demokratike, Genc Ruli deklaroi se ky nuk është momenti i përshtatshëm që të ndryshohen kushtet e kontratës. "Sigurisht nuk kam asgjë kundër në parim kundër këtij ndryshimi që mund t’i bëhet gjatë jetës së saj një kontrate që ka hyrë në fuqi këtu e vite më parë. Sa herë vërtetohen rrethanat të cilat mund të kenë sjellë ose mund të sjellin risqe apo prekje të interesat të kalkuluara, të parapara në kontratë për secilën palë, natyrshëm që palët mund të kenë vullnetin që t’i shmangin këto risqe, sidomos kur ato janë risqe që nuk janë parashikuar në kontratë, por që ishin të paparashikueshme në atë kohë. A jemi në atë rrethanë sot me ndryshime që po i bëjmë kësaj kontrate? Në rastin konkret, nuk jemi aspak", tha z. Ruli. Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi tha se përmes këtyre ndryshimeve pritet që të përmirësohet furnizimi me energji elektrike dhe infrastruktura rrugore. “Projektligji u jep zgjidhje problematikave dhe hap mundësi të reja të nevojshme për zbatimin e kësaj kontrate brenda afateve. Pritet që të sjellë rritje të prodhimit të energjisë, rritje të punësimit, përmirësim të sistemit rrugor, programe strehimi për 40 mijë banorë, ndërtimin e rrugëve me një kosto më të ulët etj. Koncensionet e hidrocentraleve kanë qenë një nga dështimet e qeverisjes së kaluar. Ju sugjeroj ta miratojmë pasi bëhet fjalë për një projekt strategjik, jo vetëm për ekonominë tonë, por edhe për ekonominë rajonale”, tha znj. Kushi. Projektligji u miratua me 75 vota pro dhe 23 vota abstenim. Miratimi i projektvendimit “Për miratimin e disa ndryshimeve në strukturën, organikën dhe numrin e punonjësve të administratës së Autoritetit të Mediave Audiovizive”, u shty për seancën e radhës. Me unanimitet u pranua propozimi i z. Bashkim Fino, që Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të japë mendim për këtë çështje. Seanca i mbylli punimet rreth orës 20: 50.