Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektligj të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit

  • Postuar më, 11/02/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe, ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore, për zbatimin e Konventës “Për vlerësimin e ndikimit mjedisor në kontekst ndërkufitar”

Të ftuar në mbledhjen e komisioni ishin z.Redi Baduni, Drejtor në Drejtorinë e Mjedisit dhe Florinda Abdullai, juriste.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit theksoi se projektligji ka për qëllim aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore, për zbatimin e konventës për vlerësimin e ndikimit në mjedis ndërkufitar.

“Konventa për vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekstin ndërkufitar, ka për qëllim vlerësimin e ndikimit në mjedis të projekteve që zhvillohen në zonat ndërkufitare dhe mendohet që mund të ketë ndikim në mjedis në vendet fqinje. Gjithashtu, Shqipëria është bërë palë e kësaj konvente, në 4 tetor të vitit 1991, ku synohet bashkëpunimi midis shteteve për mbrojtjen e mjedisit ndërkufitar nga projektet me ndikim në mjedis. Qëllimi tjetër i këtij protokolli është që të sigurojë çështjet mjedisore, përfshirë edhe ato shëndetësore ku të merren për bazë dhe në konsideratë nga zhvilluesit e planeve dhe programeve të zhvillimit ekonomik dhe social”,- tha z. Baduni.

Relatorja e projektligjit, znj. Silva Caka tha në fjalën e saj se konventa synon bashkëpunimin ndërmjet shteteve kufitare për mbrojtjen e mjedisit ndërkufitar. “Konventa synon bashkëpunimin midis shteteve për mbrojtjen e mjedisit ndërkufitar nga projektet me ndikim në mjedis”,- tha znj. Caka.

Deputeti Fatmir Mediu në komentin e tij për projektligjin theksoi se shtetet ndërkufitare të Evropës Juglindore duhet të zbatojnë këtë marrëveshje. “Konventa siç po e shikoja, është shumë e rëndësishme, që ka të bëjë me projekte që kanë ndikim në mjedis në shtetet kufitare, por ka përcaktuar edhe disa element të detyrueshëm për shtetet përkatëse, përpara se të marrin investime të caktuara, që ndikojnë në vendet ndërkufitare. Duhet të tërheq vëmendjen në dy çështje, që duhet të gjykojmë të rëndësishme. Një ka të bëj për një vendim për ndërtimin e një hidrocentrali në pjesën e Maqedonisë, ku pjesës maqedonase duhet t’i kërkohet me insistim që të paraqesin vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe efektet që do të ketë për shkak të këtij investimit. Ashtu siç janë edhe investimet në zonën detare nga ana e palës greke. Pra do të ishte mirë që këto marrëveshje, sidomos marrëdhënie të tilla, të kenë edhe element detyrues në mënyrë që të mos ngelen thjesht si marrëveshje në një koncept të gjerë, por të ketë element që patjetër vendosin detyrim si palën shqiptare por dhe palët e tjera për t’iu nënshtruar një gjykimi të përbashkët”,- tha z.Mediu.

Më pas deputetët votuan projektligjin në parim dhe në tërësi duke e kaluar për shqyrtim në seancë plenare.