Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtojnë projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 11/02/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në parim projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. Të ftuar ishin Ministër i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati dhe Qirjako Qirko, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Duke marrë fjalën, Ministri Bushati tha se ky projektligj vjen si nevojë për t’u përshtatur më mirë me nevojat që ka sot për sot shërbimi i jashtëm. Z. Bushati shpjegoi se ligji në fuqi është miratuar në vitin 2003 dhe se është parë e udhës që të ketë një unifikim më të mirë me Kushtetutën, me ligjin e ri të nëpunësit civil dhe me dinamikat që ka politika e jashtme, pas anëtarësimit të Shqipërisë në disa organizata të rëndësishme dhe një roli të ri në rajon, është parë e nevojshme që të përmirësohet më tej kuadri ligjor.

“Përmirësim sa i përket mënyrës së funksionimit të shërbimit të jashtëm, raportit institucional që vendoset nëpërmjet shërbimit të jashtëm dhe institucioneve të tjera në Shqipëri, por edhe sa i përket mënyrës se si do të funksionojnë misionet diplomatike, postet konsullore. Gjithashtu synojmë që përmes këtij ligji të përmirësojmë boshllëqet ligjore që janë vënë re sa i përket praktikës të njohjes ndërkombëtare të shteteve, të qeverive, apo të njohjes së një përfaqësimi të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, në ato raste kur nuk kemi ambasada apo konsullata në vende të tjera, synojmë që t’i adresojmë në këtë ligj”, tha ndër të tjera z. Bushati.

Më tej, relatorja e këtij projektligji, znj. Blerina Gjylameti u shpreh se qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Sipas deputetes së PS-së, përgatitja e këtij projektligji “Për shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë” erdhi si një domosdoshmëri e kohës. Dy ligjet e mëparshme, ai i vitit 1998 dhe ai i vitit 2003 krijuan dhe konsoliduan një shërbim të jashtëm modern i cili u është përgjigjur detyrave të ngarkuara nga Kushtetuta dhe nga programet e qeverive. Periudha mbi dhjetëvjeçare që ka kaluar nga ligji që aktualisht është në fuqi, ka bërë të nevojshëm rishikimin edhe të këtij akti me synim për t’ia përshtatur interesave të kohës. Projektligji reflekton ato ndryshime të detyruara të cilat kërkohen nga ana e ligjit nr.152/2013, datë 30.5.2013 “Për nëpunësin civil”.

Mbledhja vazhdoi me komente dhe diskutime mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve, ndërkohë që në fund kaloi në votim, ku edhe u miratua nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.

Ndërkaq, projektligji “Për shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë” u diskutua edhe në Komisionin për Politikën e Jashtme, që zhvilloi një seancë dëgjimore me ekspertë të diplomacisë. Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Paskal Milo kërkoi rishikimin e projektligjit për shërbimin e jashtëm si dhe përfshirjen e Presidentit në procesin e emërimit të ambasadorëve. Z. Paskal Milo tha se duhet ndërhyrë për përmirësime në fazën e rekrutimeve në shërbimin e jashtëm dhe për përcaktimin e qartë të kompetencave të secilit institucion, që të mos ketë përplasje.

“Më tepër ka përpjekje për të lënë fushë të lirë, për të bërë rekrutime jashtë ligjit dhe jashtë procedurave të njohura të rekrutimit në shërbimin diplomatik dhe në traditën diplomatike ndërkombëtare. Ne duhet të heqim dorë përfundimisht nga rekrutimi militant dhe politik”, tha z. Milo. Më pas ish-ministri shtoi se: “Ka një problem që nuk është vetëm tani aktual, siç janë marrëdhëniet midis Qeverisë dhe Presidenti të Republikës. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka një përcaktim të qartë ligjor të kompetencave të gjithsecilit institucion”.

Diplomati Shpëtim Çuçka kërkoi që të respektohet karriera e shërbimit diplomatik si dhe kërkoi uljen e emërimeve politike nga jashtë sistemit. Z. Çuçka kritikoi projektligjin duke theksuar se materiali nuk ka renditjen e duhur ndërmjet parimeve që udhëheqin veprimtarinë diplomatike dhe bazës ligjore që e rregullon këtë veprimtari. Sipas tij, drafti duhet të pasqyronte mësimet e nxjerra nga përvoja e padëshiruar nga periudha pas vitit ‘91, sidomos në mbrojtjen e karakterit rreptësisht vertikal të veprimtarisë diplomatike.

Ish-zv.Ministrja e Jashtme, Edith Harxhi kritikoi heqjen e tavanit prej 20 për qind të emërimeve politike të diplomatëve. Sipas znj. Harxhi, heqja e këtij tavani rrezikon që të gjitha emërimet e diplomatëve të rinj të jenë vetëm politike.

“Me projektligjin e ri, mendoj se për herë të parë pas 15 vitesh, karriera apo shërbimi i jashtëm do të kthehet aty ku ka qenë 20 vite më parë, pra do të fillojë politizimin e plotë. Nëse ka pasur shkarje të sistemit gjatë këtyre viteve, me klauzolën 20 për qind jashtë karrierës për marrjen e ambasadorëve, këtë radhë hiqet përfundimisht sistemi i kuotës duke shkatërruar sistemin e karrierës”, tha znj. Harxhi.

Sipas znj. Harxhi , në projektligjin ri duhet të saktësohej më mirë dhe kufizimi i numrit të mandateve të diplomatëve dhe rikthimi i tyre në atdhe. Edhe diplomati Tonin Gjuraj ishte kritik me projektligjin “Mbi shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, ku kërkoi që të mos hiqet roli i Presidentit dhe i Komisionit të Jashtëm në emërimin e ambasadorëve të rinj. Z. Gjuraj komentoi dhe aspekte të organizimit dhe të funksionimit të shërbimit tonë diplomatik.