Kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, z. Taulant Balla zhvillon një takim me delegacionin e Bundestagut të Gjermanisë

  • Postuar më, 11/02/2015

Kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, z. Taulant Balla zhvilloi një takim me raportuesit e Bundestagut Gjerman për Shqipërinë.

Në këtë takim, z.Balla u takua me z. Thorsten Frei (CDU), Christian Petry (SPD), z. Manuel Sarrazin (Bündnis 90/ Grüne) dhe z. Andrej Hunko, (Die LINKE), ku vuri theksin tek marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve. Në fjalën e tij Kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, jo vetëm me delegacione zyrtare, por edhe në konferenca të përbashkëta me qëllim prezantimin e Shqipërisë dhe kushteve që ofron vendi ynë në thithjen e investimeve gjermane.

Krahas kësaj, z. Balla i njohu parlamentarët gjerman me reformat e ndërmarra duke vënë theksin tek lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si edhe krijimin e një administrate moderne.

Në emër të delegacionit të Bundestagut Gjerman, z. Manuel Sarrazin  e uroi z.Balla për punën e deri të tanishme të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani për përmbylljen me sukses të disa investimeve konkrete të sipërmarrjes gjermane në Shqipëri. Z.Sarrazin vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy shteteve duke shtuar domosdoshmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve të grupeve të miqësisë në mënyrë që të krijohen kushtet për të afruar edhe më shumë biznesin gjerman drejt Shqipërisë.

Në mbyllje të takimit, Kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, z.Taulant Balla dhe parlamentarët gjermanë, diskutuan rreth mundësisë të zhvillimit të një ekspozite promovuese për Shqipërinë në Bundestag me qëllim prezantimin e vendit tonë si një atraksion për biznes dhe për turizëm.