Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi nen për nen projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” të ndryshuar.

  • Postuar më, 10/02/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi nen për nen projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” të ndryshuar. Projektligji shfuqizon dispozitat e nenit 4, të ligjit nr. 9723 për QKR-në, që lidhen me funksionet e QKR-së. për licencimin e bizneseve. Sipas projektit origjinal të QKR-së, ky institucion do të merrej edhe me procesin e licencimit të bizneseve, ndërkohë që ky funksion tashmë realizohet nga Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL) në bazë të ligjit nr. 10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe legjislacionit sektorial përkatës. Struktura e re organizative e parashikuar sipas këtij neni, ofron fleksibilitet për menaxhimin nga ana e QKR-së të sporteleve vendore, duke u bazuar në parimet e nevojës së përhapjes së sporteleve në territor, të ngarkesës operative dhe të treguesve të cilësisë së shërbimit të çdo sporteli. Në diskutimet e tyre , anëtarët u ndalën tek procedura e emërimit të drejtuesit të QKR-së dhe të punonjësve. “Dispozita të rrijë siç ka qenë, pra që drejtuesi i QKR-së, të jetë jurist ose ekonomist dhe jo të lihet e hapur duke iu hequr këto dy kritere. Gjykoj se në logjikën që ka qenë më përpara, është më e drejtë që në krye të këtij institucioni të jenë profesionistë”, tha z. Eduard Halimi. Të njëjtin mendim shprehu edhe deputeti socialist z. Armando Subashi. “Edhe unë do e mbështes shqetësimin e z. Halimi. Ky projektligj thotë që titullari i QKR është nëpunës civil dhe për të zbatohen ato dispozita. Po t’i referohemi ligjit “Për nënpunësit civil”, atje mund të ketë disa kritere të përgjithshme, ndërsa ky pozicion ka nevojë edhe për kritere specifike të cilat zbatohen në ligjin e posaçëm. Kriteret specifike duhet t’i përcaktojmë në këtë ligj”, tha z. Subashi. Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit miratuan me konsensus projektligjin.