Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton një projektligj në fushën e mjedisit

  • Postuar më, 10/02/2015

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin miratoi nen për nen projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9867, datë 31.1.2008 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar”

Të pranishëm në mbledhje ishin specialist nga Ministria e Mjedisit.

Deputetët e Komisionit votuan nen për nen projektligjin i cili ka si qëllim saktësimin e autoritetit përgjegjës për lëshimin e lejeve të importit për tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të florës dhe të faunës së egër.

Projektligji i miratuar, i cili konsiston në saktësimin e pikës 1, të nenit 14, të ligjit në fuqi, është në përputhje të plotë me frymën e konventës CITES “Për tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të florës dhe faunës së egër”, si dhe të vetë ligjit nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar, nga ku rezulton qartë se autoriteti menaxhues, i cili ka të drejtë të japë apo të revokojë leje importi, është Ministria e Mjedisit, ndërsa autoriteti shkencor ka vetëm funksion këshillimor, të cilin ministria është e detyruar ta kërkojë para vendimit për dhënien e lejes.