Komisionin për Politikën e Jashtme zhvilloi seancë dëgjimore me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati

  • Postuar më, 10/02/2015

Komisionin për Politikën e Jashtme zhvilloi seancë dëgjimore me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati mbi projektligjin “Mbi shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. Gjithashtu në këtë seancë u diskutua edhe lidhur me kërkesën e propozuar nga z. Aldo Bumçi, mbi mospranimin nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për drejtimin e Komitetit të Çështjeve Ekonomike të OSBE-së.

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati prezantoi projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin e Shërbimit të Jashtëm, që në thelb shkurton disa burokracira të tepërta, që për një vend që aspiron Bashkimin Europian duhet të eliminohen. Sipas Ministrit Bushati emërimet do të behën sipas meritokracisë, ndërkohë që duhet parashikuar që Parlamenti të ketë rol më diskret në procesin e emërimit të ambasadorëve.

Nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, Aldo Bumçi ngriti pretendimet se sipas tij ndryshimet ligjore cenojnë themelet e shërbimit diplomatik dhe të marrëdhënieve institucionale në vend. Anëtarët e komisionit u përfshinë në debate lidhur me këtë projektligj që do të vazhdojë të diskutohet dhe në disa komisione të tjera parlamentare.

Më tej, mbledhja vazhdoi me pikën e dytë të rendit të ditës. Lidhur me kërkesën e propozuar nga z. Aldo Bumçi, mbi mospranimin nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për drejtimin e Komitetit të Çështjeve Ekonomike të OSBE-së, z. Bushati u shpreh se ky Komitet nuk është ndër më të rëndësishmit e OSBE-së dhe vendimi nuk ndikon në rezultatet dhe marrëdhëniet e diplomacisë shqiptare.

“Mosmarrja e kryesisë së Komitetit të Ekonomisë dhe Çështjeve të Mjedisit ka qenë një vendim i Ministrisë së Jashtme dhe vjen pas një analize të thelluar të strukturave të Ministrisë së Jashtme, të cilat kanë arritur në përfundimin se ky Komitet nuk është i rëndësishëm, duke parë dhe orientimin tonë strategjik në politikat e jashtme. Jemi në kërkim të një vendi me peshë në OSBE, një vend i tillë që ka të bëjë me sigurinë evropiane. Komiteti për të cilin flasim është më i parëndësishmi. Më duhet të sqaroj deklaratat për refuzimin e Komitetit Ekonomik. Është spekuluar për këtë çështje. Është e drejta jonë legjitime që të kërkojmë një komitet me rëndësi. Shqipëria nuk është më në fazën post-komuniste, ndaj nuk mund të pranojnë çdo gjë me entuziazëm”, tha ministri Bushati.

Sipas Ministrit të Punëve të Jashtme, vendi ynë është një fazë ku po punon për të luajtur një rol thelbësor në rajonin e Ballkanit dhe marrja e një angazhimi të tillë, siç ishte ai komitetit të Ekonomisë do të kërkonte resurse ekonomike dhe njerëzore të shumta dhe të cilat nuk do kthenin përfitime të mëdha.

“Komiteti i Ekonomisë dhe Çështjeve Mjedisore zakonisht i jepet vendeve të Azisë, pasi Europa ku ne jemi dhe kemi interesa strategjik nuk ka ndonjë interes të veçantë, prandaj ne kemi kërkuar sigurinë, pasi çështja e Ukrainës, ku Shqipëria ka një qëndrim të kristalizuar është pikë e strategjisë sonë në marrëdhëniet diplomatike më vendet e tjera të BE-së, ashtu siç janë edhe të drejtat e njeriut. Ne do të ishim mjaft të interesuar të kishim kryesimin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut, pasi në Ballkan kjo çështje ka peshë të madhe”, tha Bushati.

Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi deklaroi se kërkesa për Komitetin e Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut janë thjesht për të larguar vëmendjen nga e vërteta. “Ju nuk e keni pranuar ofertën e OSBE-së, pasi kërkoni të largoni nga detyra ambasadorin Shqiptarë në OSBE, një personalitet me rezultatet të shkëlqyera”, deklaroi z. Bumçi.

Në përgjigje të këtyre deklaratave, Ministri Bushati deklaroi se diplomacia shqiptare ka korrur mjaft suksese. “Ju e dini se të gjitha selitë me rëndësi të lartë për BE dhe të organizatave të tjera më të cilat kemi marrëdhënie vendosin selitë e tyre të komunikimit në Serbi, por tani Shqipëria po rritet nga ana diplomatike dhe tashmë kemi arritur marrëveshjen që Selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor të vendoset në Tiranë, Shqipëri, çka tregon se ne kemi ecur përpara në diplomaci dhe nuk kemi tronditur askënd, duke refuzuar komitetin e ekonomisë në OSBE”, theksoi z. Bushati. Ministri shtoi se diplomacia shqiptare po ndjek një strategji të qartë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë të cilat formësojnë mësë miri panoramën e madhe të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë në përputhje me strategjinë tonë dhe në frymën e mirëkuptimit dhe me partnerët tanë strategjik.