Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot projektligjin “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 09/02/2015

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot  kalendarin e Komisionit për periudhën 6 Shkurt – 26 shkurt 2015 si edhe shqyrtoi projektligjin “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”. Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë. Në fjalën e tij Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z.Fatmir Xhafaj theksoi se Komisioni do të shqyrtoj nen për nen projektligjin “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, por nuk do ta votojë atë në tërësi, pasi më parë do të bëhet zbardhja e një teksti integral së bashku me ndryshimet, që do të diskutohet gjithashtu me misionin SIGMA. “Pasi ta kemi të mbyllur të gjithin nen për nen dhe para se ta votojmë në tërësi, kolegët do të kenë mundësi që të shikojnë një draft tekst integral në mënyrë që, nëse ka diçka që gjatë rrugës nga debatet e ndryshime, mund të mos jetë ajo që duhet të kemi në tekst, mund ta diskutojmë. Nuk do të nxitohemi me këtë projekt, për shkak të rëndësisë që ka edhe për faktin që po punohet paralelisht edhe me një grup pune për të parë me detaje nen për nen, por edhe për shkak të faktit se ky është një projekt i hartuar në bashkëpunim me SIGMAN dhe i monitoruar me shumë kujdes po ashtu nga SIGMA”,- tha z.Xhafaj.