Komisioni për Politikën e Jashtme diskutoi projektligjin “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 21/01/2015

Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot programin e punës së Kuvendit për periudhën 19 janar- 26 shkurt dhe Kalendarin 3 javor (19 janar–5 shkurt 2015) të punimeve të Kuvendit, si edhe diskutoi rreth veprimtarive që do të përfshihen në programin e punës së Komisionit për sesionin parlamentar janar- qershor 2015.

Gjithashtu, anëtarët e komisionit u njohën edhe me projektligjin “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë” depozituar më datë 17.12.2014.

Kryetarja e komisionit, znj. Arta Dade u shpreh se, ligji ekzistues garanton konsolidimin e shërbimit diplomatik dhe lejon qeveritë të emërojnë në vende të ndryshme, ambasadorë jashtë sistemit të karrierës. Znj. Dade ka kërkuar që ligji i ri të parashikojë se ambasadorët duhet të kenë pika takimi me politikën e jashtme.

“Unë mendoj se ligji ekzistues garantonte një konsolidim të shërbimit diplomatik, por gjithashtu lejonte që qeveritë sipas rasteve që marrin pushtetin kanë mundësi që për vendet ku mendojnë se janë përparësore në marrëdhëniet dypalëshe, të emërojnë ambasadorë nga jashtë sistemit. Sigurisht edhe në këtë rast nuk mund të emërohen individë që nuk kanë asnjë lidhje me shërbimin diplomatik apo me politikën e jashtme, por ligji duhet të parashikojë që të kenë ato pika takimi me shërbimin dhe politikën e jashtme”, tha znj. Dade.

Ndërkaq, deputetja e PS-së, znj. Valentina Leskaj ka kërkuar pjesëmarrjen e personaliteteve të kësaj fushe që të kontribuojnë nëpërmjet seancave dëgjimore, pasi ligji i ri ka mjaft vend për diskutime. Për znj. Leskaj, kjo është një reformë e rëndësishme që nuk mund të kalojë me shpejtësi.

Deputetët e PD-së, z. Aldo Bumçi dhe z. Kastriot Islami e kundërshtuan projektligjin. Z. Islami u shpreh se ky ligj rrezikon diplomatët në karrierë, pasi ndryshe nga i vjetri, i cili parashikonte kuotën 20 për qind për personat që vijnë jashtë sistemit, ligji i ri është shumë më i hapur.

Gjatë mbledhjes u diskutua rreth veprimtarive që do të përfshihen në programin e punës së Komisionit për sesionin parlamentar janar-qershor 2015.


Share