Kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian takohet me Raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein

  • Postuar më, 09/01/2015

Kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian, znj. Majlinda Bregu së bashku me Nënkryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme z. Aldo Bumçi zhvilluan sot një takim në ambientet e Kryesisë së Kuvendit me Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian z. Knut Fleckenstein.

Në kuadër të përgatitjes së progres-raportit për Shqipërinë, z. Fleckenstein u interesua për zbatimin e pesë prioriteteve kyçe si dhe shprehu opinionet e tij për çështjen që kanë qenë pikat e marrëveshjes, ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, ku në thelb ka qenë dekriminalizimi i Kuvendit.

Kryetarja e Komisionit për Integrimit Europian znj. Majlinda Bregu dhe Nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme z. Aldo Bumçi, e njohën Raporterin me situatën aktuale dhe realitetin shqetësues të moszbatimit dhe të mosrespektimit të standardeve dhe detyrimeve të vendosura për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit. Znj. Bregu shprehu shqetësimin e saj, se qeveria nuk po respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, duke iu referuar si rast konkret, vetëvrasjes së Qamil Zelës në burgun e Rrogozhinës, pasi ishte arrestuar për shkak se ishte debitor në pagesën e energjisë elektrike.

Duke e vënë theksin tek fryma e kompromisit e dialogut politik, znj. Bregu tha se kjo nënkupton jo vetëm respektim në deklarata për opozitën, por respektim të rolit kontrollues që Kushtetuta dhe ligjet i japin opozitës.