Mblidhet Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore

  • Postuar më, 27/06/2018

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore zhvilloi sot një tryezë teknike me temë “Votimi i shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit”. Në këtë konferencë, krahas anëtarëve të Komisionit të Posaçëm, merrnin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, përfaqësues të misionit të OSBE-ODIHR, anëtarët të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues të NDI, anëtarë të organizatave të shoqërisë civile që në fokusin e tyre kanë çështjet zgjedhore dhe të demokracisë etj. Pjesë e panelit ishin z. Iurie Ciocan, ekspert i Këshillit të Europës, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Moldavisë dhe z. Sead Alihodžic, Zyrtar i Lartë i Programit të Proceseve Zgjedhore, International IDEA. Të dy ekspertët bënë prezantimin e gjetjeve të tyre mbi votimin e shtetasve jashtë vendit. Qëllimi i kësaj konference ishte paraqitja dhe diskutimi i praktikave ndërkombëtare për këtë çështje si edhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR mbi mundësitë e krijimit të kushteve për votimin e shtetasve shqiptar nga jashtë vendit.?