Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut njoftoi zgjatjen e afatit të aplikimit për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të ligjit nr. 115/2016, miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjet “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

  • Postuar më, 03/07/2018

3 korrik 2018

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, në mbledhjen e sotme zgjati afatin e aplikimit për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si edhe miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjet “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

 

Pas miratimit të procesverbaleve të mbledhjeve të komisionit më datat 11 dhe 18 qershor 2018, kryetari i komisionit, z. Ulsi Manja, njoftoi anëtarët e komisionit për përfundimin e afatit të aplikimit për kandidatët për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit Nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe kandidaturat e paraqitura

 

 “Shprehje interesi dhe dokumentacion shoqërues kanë paraqitur vetëm kandidatët Saimir Vishaj dhe Artan Spahiu. Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të kandidaturave, pasi numri i vendeve vakante është pesë, Komisioni i Çështjeve Ligjore është në pamundësi për vijimin me procedurat e mëtejshme të vendimit 74 të Kuvendit”, u shpreh kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

 

Z. Manja i propozoi komisionit rishpalljen e procedurës së aplikimit për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të ligjit nr. 115/2016, sipas afateve të parashikuara në vendimin 74 të Kuvendit. Propozimin e z. Manja për komisionin, që synonte nje tjetër shtyrje 15-ditore, komisioni e miratoi me shumicë votash.

 

Seanca e komisionit vijoi me pikën pasardhëse të rendit të ditës, shqyrtimin në cilësinë e komisionit përgjegjës nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Projektligjin e relatoi në komision z. Adnor Shameti. Të pranishëm në komision ishin zëvendministri i Drejtësisë, z. Toni Gogu dhe z. Maks Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin.

 

Komisioni, në pikën e fundit të rendit të ditës, vijoi me shqyrtimin e neneve të lëna hapur nga mbledhja e fundit për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisioni e miratoi edhe këtë projektligj nen për nen dhe në tërësi.