Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektvendim dhe katër marrëveshje.
- Postuar më, 10/07/2018
10 korrik 2018
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme projektvendimin “Për një ndryshim në strukturën dhe organikën e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, dhe projektligjet si vijojnë:
- “Për
ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të
Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe
Ekonomisë dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe
formimit profesional nëpërmjet inovacionit”
- "Për
denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës
së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për
bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të
vogla dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”, ratifikuar me
ligjin nr. 86/2015”
- “Për
denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të
Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për
bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Efiçenca energjetike përmes
sektorit bankar” ratifikuar me ligjin nr. 89/2015”
- “Për
ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat
shqiptare- rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i
linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të
grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor”.
Mbledhja e komisionet nisi punimet me shqyrtimin e projektvendimit “Për një ndryshim në strukturën dhe organikën e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”. I pranishëm për prezantimin e projektvendimit në komision ishte z. Besnik Dervishi, komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe relatues për komisionin i projektvendimit ishte znj. Vasilika Hysi.
Z. Dervishi njohu komisionin me ndryshimin e parashikuar
përmes projektvendimit në shqyrtim: shtimin e dy punonjësve në organikën e strukturës
së drejtorisë së të Drejtës së Informimit, në Komisionin për të Drejtën e
Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. “Duke përfituar nga ky
ndryshim ne jemi përpjekur të bëjmë edhe disa rregullime të vogla në strukturë,
për të unifikuar strukturën e këtij institucioni të pavarur në të njëjtin nivel
dhe standarde me institucionet e tjera të pavarura, të krijuara me ligj”,- u
shpreh komisioneri.
“Jam dakord, pasi në këtë mënyrë Komisioneri do të
përmbushë edhe ato çfarë është thënë në progres-raportin e BE-së, i cili duhet
të bëjë më shumë përpjekje për përmirësimin e legjislacionit dhe hartimin e tij
në përputhje me rregullat e përgjithshme të mbrojtjes së të dhënave personale
dhe direktivën e fundit, gjë që ne e kemi lënë edhe si detyrë në rezolutën që
kemi miratuar pak ditë më parë”,- ishin fjalët e znj. Vasilika Hysi lidhur me
relatimin e projektvendimit.
Në fund të diskutimeve mbi këtë pikë, komisioni e miratoi
projektvendimin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Si pikën pasardhëse të rendit të ditës, komisioni mori në
shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin
e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Cassa
Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet
inovacionit”. Të pranishëm në komision për prezantimin e projektligjit
ishin përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Të pranishmit vunë
theksin te leverdia e palës shqiptare në kredinë 5 milionë euro, me afat
maturimi 22 vite, 10 vjet principal dhe interes 0%, për të cilën pala shqiptare
është dakordësuar me palën italiane për ta siguruar si hua të butë për
investimin e dy projekte shkollash në Fier dhe Lushnje. Relatorja e
projektligjit, znj. Vasilika Hysi, e konsideroi të rëndësishëm projektligjin
për shkak të problematikës që adreson në fushën e arsimit profesional.
Komisioni, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, miratoi
në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e
marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Cassa
Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet
inovacionit”.
Pika e tretë e rendit të ditës parashikonte shqyrtimin e
projektligjit “Për denoncimin e
marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin
financiar 2010, për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”, ratifikuar me ligjin nr. 86/2015”.
Për prezantimin e projektligjit në komision ishin të pranishëm përfaqësues nga
Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe relatorë për komisionin ishte deputetja
Elena Xhina.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave sqaruan se qëllimi
i këtij projektligji është shfuqizimi dhe denoncimi i marrëveshjes së
nënshkruar në datën 6 korrik 2015, ndërmjet Këshillit të Ministrave të
Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për
bashkëpunimin financiar 2010, të miratuar me ligjin nr.86/2015. Sipas tyre, nga
momenti i dekretimit të marrëveshjes qeveritare dhe deri më sot, marrëveshja
nuk është bërë efektive asnjëherë dhe si e tillë, pala gjermane, nëpërmjet
kanaleve diplomatike, ka propozuar një projektmarrëveshje të re për
bashkëpunimin financiar 2017, për projektin “Promovimi i ndërmarrjeve të vogla
dhe të mesme përmes fondit të garancisë së kredive”, duke vënë në dispozicion
një shumë financimi në vlerën pesë milionë euro, duke mbështetur dhe promovuar
ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale. Znj. Elena Xhina,
relatore e projektligjit për komisionin, duke kërkuar përmirësim të aftësive
parashikuese në lidhjen e marrëveshjeve të tjera nga pala shqiptare, e cilësoi
dobiprurëse marrëveshjen e re dhe kërkoi miratimin e saj.
Komisioni, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, e
miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.
Më tej, mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore,
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes
ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe
qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar
2010, për projektin “Efiçenca energjetike përmes sektorit bankar” ratifikuar me
ligjin nr. 89/2015”. I pranishëm në komision për paraqitjen e projektligjit
ishte zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Artan Shkreli dhe
relatues i projektligjit për komisionin ishte z. Jurgis Çyrbja. Përfaqësuesit e
Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, që shoqëronin zëvendësministrin
Shkreli, njohën komisionin me faktin që me anë të marrëveshjes qeveritare, që
do të denoncohet, do të vihet në dispozicion financimi në formën e huas, në
vlerën 12 milionë euro, ndërsa marrëveshja e re, që do të lidhet për projektin
në fushën e bujqësisë, do të mundësojë një financim në formën e grantit, në
vlerën 5 milionë euro. Me anë të këtij projekt-akti synohet tërheqja nga
marrëveshja, e cila vlerësohet të jetë e pazbatueshme dhe, në këtë mënyrë, t’i
hapet rrugë nënshkrimit të një marrëveshjeje të re për mbështetjen e projektit
“Promovimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes Fondit të Garancisë së
Kredive Rurale”. Z. Çyrbja, në cilësinë e relatorit, e konsideroi zhvillim të
nevojshëm në kushtet e paraqitura.
Komisioni për Çështjet Ligjore, të Drejtat e Njeriut dhe
Administratës Publike, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, e miratoi
në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për denoncimin e
marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin
financiar 2010, për projektin “Efiçenca energjetike përmes sektorit bankar”
ratifikuar me ligjin nr. 89/2015”.
Në pikën e fundit të diskutimeve të parashikuara në
rendin e ditës, komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së
Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e
projektit “Hekurudhat shqiptare- rehabilitimi i linjës hekurudhore
Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar
të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian
i Ballkanit Perëndimor”. Paraqitjen e projektligjit për komisionin e kreu
zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Artan Shkreli dhe relator
i projektligjit ishte z. Edmond Leka.
“Ne, pavarësisht se nuk jemi aty ku duhet me
rehabilitimin e sistemit hekurudhor shqiptar, ky grant, për të cilin po diskutojmë,
synon përmirësimin e trasesë ekzsituese Tiranë-Durrës, me një distancë prej 34
kilometrash si edhe degëzimin për në aeroportin e Rinasit, për ta bërë
funksional vajtjen e pasagjerëve në Rinas, gjë që nuk presupozon kargot. Flitet
për ndërtimin e një terminali të ri në ish-stacionin e Trenit të Tiranës, që pavarësisht
planeve rregulluese dhe ndërhyrjeve të mëparshme e kishin përjashtuar ndërtimin
e një terminali në afërsi të unazës ekzistuese të Tiranës, duke e çuar në nyjën
internodale pranë “Casa Italia-s”, flitet në këtë marrëveshje rindërtimi i një
terminali vetëm për pasagjerët, që do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve nga
qendra e Tiranës”, - u shpreh z. Artan Shkreli, zëvendësministër i
Infrastrukturës dhe Ekonomisë.
Komisioni, në përfundim të diskutimeve, në cilësinë e
komisionit për dhënie mendimi e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi
projektligjin.