Delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë merr pjesë në sesioni e 27-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së

  • Postuar më, 12/07/2018


Më 7-11 korrik u zhvillua në Berlin sesioni i 27-të vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,  u përfaqësua nga anëtarët e përhershëm pranë kësaj Asambleje znj. Elona Hoxha Gjebrea dhe z. Fatmir Mediu.

Tema e  këtij sesioni është "Implementimi i angazhimeve të OSBE-së: Roli i Parlamenteve". Të pranishëm ishin rreth 300 parlamentarë nga Amerika Veriore, Evropa dhe Azia.
Gjatë këtyre ditëve u zhvilluan takime të tre komiteteve të Asamblesë Komiteti i Çështjeve Politike dhe të Sigurisë, Komitetit për çështjet ekonomike, shkencës, teknologjisë dhe zhvillimit, si dhe Komiteti për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe çështjet humanitare ku u diskutuan dhe miratuan 16 draft rezoluta sipas fushave përkatëse që mbulon secili komitet.

Njëkohësisht u zhvilluan mbledhje të komisioneve Ad Hoc si : Komisioni Ad Hoc kundër terrorizmit drejtuar nga Z. Makis Voridis, deputet i Parlamentit Grek, anëtar i të cilët është z. Fatmi Mediu, Komiteti i Çështjeve të Emigrimit drejtuar nga znj. Nahima Lanjri deputete e Parlamentit të Belgjikës, si dhe një drekë pune organizuar nga Përfaqësuesja e Çështjeve gjinore znj. Heady Fry, ku parlamentarët diskutuan mbi dhunën ndaj grave hapat konkretë që mund të merren nga ata për të zhdukur çështjet gjinore, në të gjitha format e saj si dhe se si të promovojë barazinë gjinore.
Sesioni Vjetor përfshiu gjithashtu zgjedhjet e drejtuesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, duke përfshirë zyrtarët e komisionit, nënkryetarët dhe Presidentin.

Znj. Elona Hoxha kandidoi dhe u zgjodh Reportere e Komitetit për Çështjet Ekonomike, Shkencës, Teknologjisë dhe Zhvillimit, detyrë kjo e cila e ngarkon gjithashtu në postin e anëtares së Byrosë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Sesioni Vjetor kulmoi me miratimin e Deklaratës së Berlinit, e cila adreson rekomandime për qeveritë, parlamentet dhe komunitetin ndërkombëtar në fushat e çështjeve politike, të sigurisë, të ekonomisë, të mjedisit dhe të të drejtave të njeriut.

Në Deklaratën e Berlinit, parlamentarët e OSBE-së kërkuan angazhim më të madh nga qeveritë në parimet e OSBE-së për dialog duke përfshirë reformën e sektorit të sigurisë, zhvillimin e masave për krijimin e besimit dhe sigurisë si dhe zbatimin e marrëveshjeve.



Deklarata i bën thirrje qeverive të sigurojnë që të drejtat e njeriut respektohen nga të gjitha shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës, si publike dhe private, dhe u kërkon parlamenteve të krijojnë organe për shqyrtimin e aktiviteteve të këtyre shërbimeve. Parlamentet duhet gjithashtu të mbështesin procesin e "dialogut të strukturuar" të OSBE, thotë Deklarata.

Në dimensionin ekonomik dhe mjedisor, Deklarata thekson rolin unik të parlamenteve në promovimin e reformave për të zbatuar angazhimet e OSBE-së, veçanërisht duke luftuar korrupsionin, duke rritur transparencën dhe masat në fushën e sigurisë që përfshijnë krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.