Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi një projektligj të rëndësishëm

  • Postuar më, 12/07/2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi projektligjin "Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë".


I pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishte zëvendësministri i Brendshëm z. Petro Koçi, i cili bëri prezantimin e projektligjit.


Në fjalën e tij, z. Koçi dha argumentet e domosdoshmërisë së miratimit të këtij projektligji duke u shpreh se: “Kontrolli shtetëror mbi transferimet ndërkombëtare për mallrat ushtarake apo artikujt të teknologjive për përdorim të dyfishtë është një çështje dhe sensibilitet i lartë për sigurinë kombëtare. Sigurisht që vjen si pasojë e një detyrimi ndërkombëtar, pra transferimi i këtyre mallrave është nevojë dhe iniciativë ndërkombëtare sepse ka qenë gjithmonë e nevojshme për tu rregulluar. Për pasojë, ky projektligj është në përputhje me detyrimet që ne kemi si anëtar të OKB-së. Përkatësisht në zbatimin e rezolutës 1540 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu është pjesë e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që ka firmosur Republika e Shqipërisë me BE. Është e rëndësishme të theksohet se rregullorja e vjetër e Bashkimit Evropian mbi të cilën është ndërtuar ligji që është në fuqi, është rrëzuar, dhe është një rregullore e re që është përkatësisht rregullorja 428 e vitit 2009 dhe projektligji i ri vjen edhe si nevojë e përputhshmërisë së normave të këtij ligji me këtë rregullore”.


Pas prezantimit të zëvendësministrit, deputeti z. Vullnet Sina bëri relatimin e projektligjit. Në fjalën e tij deputeti z. Sina tha se: “Qëllimi i këtij ligji lidhet mbi vendosjen e kontrollit shtetëror mbi transferimet ndërkombëtar të mallrave ushtarake, artikujve të teknologjive për përdorim të dyfishtë për të siguruar mbrojtën e interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sigurinë dhe politikën e jashtme, kredibilitein ndërkombëtar të saj, dhe garantimin e respektimit të angazhimeve dhe kontrolleve të Republikës së Shqipërisë në këtë fushë”.


Më pas, anëtarët e komisionit e miratuan në parim projektligjin duke e shtyrë shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi për në mbledhjen e radhës.