Delegacioni i Komisionit për Ekonominë dhe Financat merr pjesë në Konferencën Ndërparlamentare e organizuar nga Parlamenti Europian në Bruksel

  • Postuar më, 12/07/2018

Në datat 11-12 korrik një delegacion i Komisionit për Ekonominë dhe Financat i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë i përbërë nga Znj. Blerina Gjylameti, Znj. Antoneta Dhima, znj. Fatbardha Kadiu dhe znj. Nadire Mecorapaj, mori pjesë në një Konferencë Ndërparlamentare organizuar nga Parlamenti Europian në Bruksel, me temë “Menaxhimi i shëndetshëm i Fondeve të Bashkimit Europian – Kompetencat e kontrollit buxhetor të Parlamentit Europian”.


Të pranishmit diskutuan mbi aktivitetin e Komisionit për Kontrollin Buxhetor të Parlamentit Europian, bashkëpunimin me Gjykatë Europiane të Auditorëve ECA dhe Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit OLAF


Znj. Gjylameti foli mbi raportimin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucion i pavarur që auditon shpenzimet publike. Mbas ndryshimeve ligjore të cilat kanë hyrë në fuqi që nga 1 janari i 2015 vihet re se ka një vëmendje të shtuar në auditime të performancës, në mënyrë të posaçme për procedurat e prokurimeve publike, por në të ardhmen duhet fokusuar më shumë tek eficenca e përdorimit të fondeve publike.


Znj. Gjylameti tha gjithashtu se pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat raportojnë për fondet e marra nga Bashkimi Europian dhe ministritë e linjës. Para një viti këto fonde auditoheshin nga OLAF, Komisioni ka kërkuar që këto fonde të auditohen nga KLSH për sa kohë janë fonde publike.


Një problematikë e madhe është edhe zbatimi i rekomandimevve të Kontrollit të Lartë të Shtetit nga institucionet buxhetore. Me qëllim për të përmirësuar dhe për të adresuar këto problematika pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat është  në proces nrgitja e nënkomisionit i cili do të merret pikërisht me monitorimin e zbatimit të këtyre rekomandimeve nga institucionet buxhetore.


Për sa i takon bashkëpunimit ndërkufitar, znj. Gjylameti u shpreh se Shqipëria si shumë vende të rajonit është e angazhuar për të bërë projekte jo vetëm për të tërhequr fonde nga BE por për të krijuar atë çka pritet, tregje më tërheqëse për të gjithë ata që duan të angazhohen.