Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi nen për nen dhe në tërësi pesë projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 12/07/2018

12 Korrik 2018

 

Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi nen për nen dhe në tërësi pesë projektligje të rëndësishme. Në drejtimin e Kryetares së Komisionit znj.Mimi Kodheli projektligjet që u miratuan vijojnë si më poshtë:

  1. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”.
  2.  Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit”.
  3.   Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare - rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor”.
  4.   Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale”.
  5.    Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale”.

Mbledhja e komisionet nisi punimet me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin z. Gazmend Barbullushi Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie.

Z.Barbullushi njohu komisionin me projektligjin ku dhe u shpreh se :“Marrëveshja bazohet në statutin e fondit të Ballkanit perëndimor, e cila është pjesë  e marrëveshjes kryesore për themelimin e këtij fondit. Sa i takon shpenzimeve financiare, zbatimi i marrëveshjes nuk sjell efekte të drejtpërdrejta financiare, nga pikëpamja buxhetore. Është vendosur sekretariati i fundit, godina është ofruar pa pagesë për një periudhë pesë vjeçare.”

Në fund të diskutimeve mbi këtë pikë, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Si pikën pasardhëse të rendit të ditës, komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave z.Erjon Luçi dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie. Të pranishmit vunë theksin në leverdinë e palës shqiptare për kredinë 5 milionë euro, me afat maturimi 22 vite, 10 vjet principal dhe interes 0%, për të cilën pala shqiptare është dakordësuar me palën italiane për ta siguruar si hua të butë për investimin e dy projekteve shkollash në Fier dhe Lushnje.

“Qëllimi i kësaj kredie që është bërë me mirëkuptimin e partnerëve tanë italianë si qëllim ngritjen e qendrave multifunksionale në Fier dhe një shkollë teknike në Lushnjë. Gjithashtu ka si komponent kurrikulat për arsimin me aftësi profesionale të orientuara nga tregu i punës.”- u shpreh z.Luçi.

Anëtarët e komisionit e konsideruan të rëndësishëm projektligjin për shkak të problematikës që adreson në fushën e arsimit profesional.

Komisioni, në përfundim të diskutimeve, e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.

Më tej,  mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare - rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave z.Erjon Luçi dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie.

Në prezantim të këtij projektligji z.Luçi  u shpreh se ky projekt do shkurtojë më së miri edhe kohën edhe pjesën e tatimit.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është të zhvillojë transportin hekurudhor ndërmjet Durrësit dhe Tiranës, duke përmirësuar infrastrukturën dhe operacionet hekurudhore, garantuar sigurinë e lëvizjes dhe ndërveprimin, si dhe duke ndërtuar një lidhje të re hekurudhore për në Aeroportin e Rinasit, që është dhe i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit. Pas diskutimeve, komenteve dhe pyetje-përgjigjeve ky projektligj u miratua nga anëtarët e komisionit nen për nen dhe në tërësi.

Projektligji pasardhës që komisioni mori në shqyrtim ishte projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale”. Të ftuar për këtë projektligj ishin znj. Bardhylka Kospiri zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie dhe ministrisë së Ekonomisë dhe Financave .

Znj. Bardhylka Kospiri u shpreh se mbështetja ekonomike e familjeve në nevojë u synua për familjet që ishin ekstremisht të varfra, objektiv tjetër është mbështetja e zbatimit të përmirësuar të programit të ndihmës ekonomike (në vijim, NE) dhe programit të aftësisë së kufizuar (në vijim, PAK), dhe se kjo ndihmë do shtrihet në gjithë vendin të përmirësojë aspektin e asistencës sociale.

Pas diskutimeve ky projektligj u miratua nen për nen dhe në tërësi.

Projektligji i fundit në rendin e ditës ishte projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale”.

Gjithashtu të ftuar për këtë projektligj ishin z.Erjon Luçi zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie.

“Si synim kryesor ka pikërisht rritjet e kapaciteteve të fuqisë absorbuese sidomos të zonave bregdetare për turistë dhe për të mirëmbajtur sa më mirë cilësinë e shërbimeve në këtë drejtim.”- u shpreh z.Luçi.

Komisioni në përfundim të diskutimeve, miratoi nen për nën dhe në tërësi këtë projektligj.