Një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi një vizitë dy ditore në Parlamentin e Austrisë

  • Postuar më, 20/07/2018

Me qëllim rritjen e standardeve të procesit legjislativ, një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë, i përbërë nga anëtarë të Komisionit për  Çështjet Ligjore, Administratën  Publike, dhe të Drejtat e Njeriut, kryesuar nga  z. Ulsi Manja, si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvend z. Genci Gjonçaj dhe zyrtarë të kabinetit dhe administratës së Kuvendit, zhvilluan një vizitë vlerësuese në Parlamentin Austriak në datat 16-18 korrik 2018. Pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësues nga Këshilli i Ministrave dhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë.


Tematika e diskutimeve dhe takimeve të zhvilluara në këto ditë, si nga deputetët edhe nga stafi me përfaqësues të Kancelarisë Federale Austriake dhe Parlamentit të Austrisë kishte në fokus: publikimin elektronik të ligjeve dhe instrumentet ligjore për procesin ligjbërës; mbështetjen teknologjike të sistemit e-law/e-parlament për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve për të realizuar një proceses tërësisht transparent; certifikimin e projektligjeve në procedurat paraparlamentare & parlamentare, si dhe  ushtrimin e kontrollit parlamentar.


Anëtarët e Komisionit të Ligjeve zhvilluan takim me homologët parlamentarë austriakë, përfaqësues të Komisionit për Çështjet Kushtetuese Ligjore. Shkëmbimi i përvojave,  në kuadër të forcimit të rolit të parlamenteve në procesin legjislativ dhe kontrollin parlamentar, ishin në fokus të këtij takimi. Deputetët austriakë shprehën  interesimin e tyre lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi si dhe masat e marra nga shteti shqiptar ndaj dhunës në familje dhe emigrimit.


Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit zhvilloi takim dypalësh me homologun austriak ku u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit me Parlamentin Austriak në nivel teknik, me qëllim përvetësimin e ekspertizës dhe përvojave më të përparuara dhe të suksesshme dhe zbatimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Vizita vlerësuese u organizua në kuadër të përgatitjeve të përbashkëta të Kuvendit të Shqipërisë dhe Prezencës së OSBE-së për ideimin dhe hartimin e Projektit në mbështetje të Kuvendit dhe Edukimin Qytetar, financuar nga Qeveria Zvicerane.