Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi u takua me Kryetarin e Partisë Demokratike të Luginës së Preshevës, Z. Ragmi Mustafa

  • Postuar më, 25/07/2018

 

Sot, më 25 korrik 2018, Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi priti në takim  Kryetarin e Partisë Demokratike të Luginës së Preshevës, Z. Ragmi Mustafa.


Gjatë takimit u diskutua mbi situatën në tre komunat me shumicë shqiptare të Luginës dhe shtimin e përpjekjeve e të bashkëpunimit për prosperitetin, mirë-integrimin e shqiptarëve në institucionet e qeverisjes qendrore dhe respektimin e të drejtave të tyre themelore, bazuar në standardet ndërkombëtare.  


Kryetari i Kuvendit Ruçi vuri në dukje se përmbushja e kërkesave të shqiptarëve të Luginës  mbetet një përparësi e posaçme e Kuvendit dhe e Qeverisë së Shqipërisë. Ai përshëndeti Deklaratën Politike të Aleancës së Komunave shqiptare, të datës 14 korrik, si provë e bashkimit në një zë të faktorit shqiptar të Luginës dhe artikulim i qartë i të drejtave të popullsisë shqiptare në Serbi.


Bashkëbiseduesit vlerësuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit, unifikimin e  qëndrimeve e veprimeve midis të gjitha forcave politike shqiptare të Luginës dhe rritjen e pranisë së tyre në të gjithë nivelet e qeverisjes lokale e qendrore, për të shprehur e realizuar interesat e zgjedhësve të tyre. Lufta politike, këshilloi Kryetari i Kuvendit, duhet të ndahet nga përpjekjet dhe të jetë në funksion të të drejtave të shqiptarëve të Luginës.


Z. Ruçi  vuri në dukje nevojën e rritjes së bashkëpunimit të forcave politike të Luginës me institucionet e Kosovës. Ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbështet dialogun e qytetëruar me institucionet e Serbisë, në mënyrë që shqiptarët e Luginës të përfitojnë plotësisht të drejtat që u takojnë, në përputhje me normat dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht.