Kuvendi i Shqipërisë zhvillon homazhe në nderim të ish-deputetit Luan Hajdaraga

  • Postuar më, 31/07/2018

Në nderim të figurës së ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministrit të Mbrojtjes z. Luan Hajdaraga, i cili u nda nga jeta dje paradite,  Kuvendi  i Shqipërisë organizoi homazhe në sallën e seancave plenare.

 

Krahas familjarëve dhe njerëzve të dashur të familjes Hajdaraga, pjesë e homazheve u bënë Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,  ministra, përfaqësues të spektrit politik shqiptar në Maqedoni si z. Ali Ahmeti, artistë, profesorë, qytetarë etj.

 

Gjatë ceremonisë së homazheve, Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka mbajti një fjalë ku vlerësoi figurën e Luan Hajdaragës. “Për mua, është e vështirë dhe e papritur të flas në këtë ceremoni mortore si Ministre e Mbrojtjes, sepse nuk e kisha menduar kurrë se do e përcillnim kaq shpejt mikun dhe kolegun tonë Luan Hajdaraga. Për mua, në raport me moshën por edhe me kohen, është gjithashtu e vështirë të gjej fjalët e duhura për vlerësimin e paraardhësit tim që drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes në ato vite të vështira kur luhej fati i shqiptareve, fati i Kosovës. Por di të them me bindje se ai ishte përfaqësues i atij brezi të pjekur që mori përsipër përgjegjësi të mëdha dhe ruajti të njëjtin ritëm dhe të njëjtin ekuilibër, që nga dita e parë e deri në fund të jetës se tij, me modestinë e qetësinë që e katekterizuan,  por që nuk ia zbehen asnjëherë madhështinë e pasionin profesional, intelektual, politik e publik”,- u shpreh znj. Xhaçka.?