Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi, u takua me ambasadorin e Sllovakisë, Z. Milan Cigánik, me rastin e largimit nga Shqipëria

  • Postuar më, 11/09/2018


Kryetari i Kuvendit Z. Gramoz Ruçi priti sot ne Kryesinë e Kuvendit ambasadorin e Sllovakisë, Z. Milan Cigánik, me rastin e largimit nga Shqipëria. Gjatë takimit Kryetari Ruçi e falenderoi Ambasadorin Cigánik për kontributin e tij në zgjerimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Marrëdhëniet politike të Shqipërisë me Republikën Sllovake janë shumë të mira. Shprehje e këtij vlerësimi ishte edhe vizita e Kryeministrit të Sllokakisë në Tiranë gjatë mandatit të ambasadorit Cigánik. Z. Ruçi shprehu vullnetin e Shqipërisë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe intensifikimin e dialogut politik dypalësh. Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Sllovakisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si edhe mbështetjen e Sllovakisë në kuadër të Grupit të Vishegradit. Gjatë mandatit tuaj, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat. Duke vlerësuar mbështetjen dhe nxitjen e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, Kryetari i Kuvendit Ruçi përëriti kërkesën që Sllovakia të njohë e Kosovën si shtet Sovran.  

 

Ambasadori Milan Cigánik falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë gjatë misionit të tij në Tiranë.  Ai theksoi se marrëdhëniet ekonomike midis të dy vendeve po zgjerohen në disa sektorë si ekonomia, mjedisi, arsimi, turizmi etj. Për këtë do të shërbejë edhe marrëveshja mbi nxitjen e investimeve dhe heqjen e tatimit të dyfishtë, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti. Ambasadori Milan Cigánik vuri gjithashtu në dukje se Shqipëria po bën hapa të sigurt drejt familjes europiane dhe po krijon në këtë aspekt një përvojë, prej së cilës mund të mësojnë edhe vendet e tjera. Pranimi i Shqipërisë në BE, nënvizoi Ambasadori Milan Cigánik është jo vetëm në interes të Shqipërisë, por edhe të vetë BE-së dhe Europës.