Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi një projektrezolutë të Kuvendit dhe miratoi një projektligj.

  • Postuar më, 11/09/2018

11 shtator 2018


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme projektrezolutën “Për njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut, në promovimin, nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave”.


Për të diskutuar lidhur me projektrezolutën, të pranishëm në komision ishin znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit, z. Robert Gajda, komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si edhe përfaqësues organizatash të shoqërisë civile.


Nismëtarja e projektrezolutës, znj. Vasilika Hysi, bëri me dije se projektrezoluta vjen si produkt i punës së përbashkët të një grupi të madh kontribuesish brenda dhe jashtë parlamentit. Si arsye të hartimit të kësaj projektrezolute znj. Hysi listoi: “E para, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, qofshin individë, organizata apo grupime shoqërore, janë një element shumë i rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. E dyta, jo vetëm në regjimet demokratike, por edhe në regjimet jodemokratike, mbrojtësit e të drejtave të njeriut hasin një sërë pengesash dhe vështirësish, duke iu vënë jeta në rrezik. Këtu flasim jo vetëm për gazetarë investigativë, por edhe një sërë mbrojtësish të të drejtave të njeriut, të angazhuar në mbrojtjen e kategorive të posaçme. Kuvendi ka detyrimin për të krijuar një mjedis miqësor, jo vetëm nëpërmjet ushtrimit të funksionimit ligjvënës, por edhe nëpërmjet asaj që është shtylla e dytë e veprimtarisë së çdo Kuvendi, por edhe të mbikëqyrjes parlamentare.”


Lidhur me thelbin e kësaj projektrezolute, Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi u shpreh: “Ne kemi një nënkomision të të drejtave të njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, që është pjesë e këtij komisioni, i cili do të shërbejë si një mekanizëm për dialog midis Kuvendit të Shqipërisë dhe mbrojtësve të së drejtave të njeriut dhe në bashkëpunim të veprimtarisë së këtij komisioni të nderuar, por edhe mekanizmit ndërinstitucional që ka ngritur Kuvendi i Shqipërisë me vendimin 47/2017, për të patur një plan veprimi për të promovuar dhe mbështetur mbrojtësit e të drejtave të njeriut, çka do të kërkohej, që në mënyrë sistematike, të vlerësohej situata e mbrojtësve të së drejtave të njeriut përmes një raporti në Kuvendin e Shqipërisë, por mbi të gjitha edhe rishikimi i legjislacionit në këtë fushë në rast nevoje.”  


Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, kërkoi me tepër kohë për konsultimin mes Avokatit të Popullit 

dhe komisionerëve për dhënie mendimi e sugjerimesh lidhur me projektrezolutën. “Një pjesë e këtyre çështjeve janë pjesë e aktivitetit tonë kushtetues, që të mos kemi mbivendosje fryma duhet të jetë e tillë që disa çështje t’i adresojmë në mënyrë më të detajuar”, u shpreh znj. Ballanca. I së njëjtës linjë qëndrimi ishte edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut, z. Robert Gajda, duke kërkuar më tepër kohë në funksion të dhënies së mendimit për përmirësimin e projektrezolutës.


Në fund të diskutimeve, komisioni vendosi që, për t’u njohur të gjitha institucionet që merren me çështjet e të drejtave të njeriut, të lihej një afat kohor shtesë deri ditën e martë të javës së ardhshme.


Komisioni, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, vijoi diskutimet me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave”. E pranishme në komision për prezantimin e projektligjit ishin znj. Dorina Cinari, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e shoqëruar nga përfaqësues të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe nga ministria e Financave dhe Ekonomisë. Relator i projektligjit për komisionin ishte z. Bledi Çuçi.


Znj. Cinari, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, lidhur me marrëveshjen u shpreh: “Është faza e pestë për programin e rehabilitimit të digave. Konsiston në pjesët e mëposhtme: rehabilitim i agregatit, turbinës nr. 4 dhe nr.1 të HEC-it Koman; rehabilitim i portave të shkarkimit të remontit të HEC-it Fierzë dhe Koman; ndjekja dhe supervizimi i aktiviteteve të cituara më lartë nga konsulenti i implementimit dhe paneli i ekspertëve të sigurisë së digave”. Z. Çuçi, relator i projektligjit, e konsideroi një zhvillim të rëndësishëm, që  përmirëson infrastrukturën dhe kushtet e sigurisë së digave.


Në fund të diskutimeve për këtë pikë të rendit të ditës, komisioni e votoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave”.