Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 12/09/2018

12 shtator 2018


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z. Ulsi Manja, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi miratoi projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet RSH (Marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë, faza II” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Këshillimi për migracionin në Shqipëri”. 


Për prezantimin në komision të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet RSH (Marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë, faza II”, të pranishëm ishin zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Dorina Cinari, zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Dajna Sorensen dhe përfaqësues të dy ministrive. Zëvendësministrja Cinari u shpreh në komision se faza e dytë e kësaj marrëveshjeje ka për qëllim aplikimin e masave të efiçencës së energjisë në godinat e konvikteve të Universitetit të Tiranës duke synuar: auditimin energjetik të ndërtesave për të identifikuar konsumin e energjisë dhe masat përkatëse që duhen për të reduktuar konsumin e energjisë; identifikimin e nevojave të rinovimit të ndërtesave në lidhje me gjendjen aktuale të tyre me qëllim për të zgjatur ciklin e jetës së ndërtesave; identifikimin e masave të ndryshme të efiçencës së energjisë që mund të aplikohet, si edhe llogaritjen e kursimit të energjisë në secilën prej godinave, me qëllim përcaktimin e kritereve dhe masave të efiçencës së energjisë me një kosto të lartë përfitimi; reduktimin e konsumit të përgjithshëm të energjisë së ndërtesave duke synuar që treguesi i performancës së energjisë të jetë të paktën 75 kwh/m2 në vit dhe të sigurojë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve; llogaritjen e reduktimit të karbonit si rezultat i masave dhe vendosjes në kushte të performancës së lartë dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Granti i qeverisë gjermane për këtë projekt është 2 milionë e 32 mijë euro. Relatori i projektligjit, z. Adnor Shameti, duke shprehur dakordësinë e tij me projektligjin, kërkoi mbështetjen me votë të projektligjit në formën e paraqitur në komision. Komisioni e miratoi në parim, në tërësi dhe nen për nen projektligjin.


Në shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Këshillimi për migracionin në Shqipëri”, e pranishme në komision ishte znj. Dajna Sorensen, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë. Znj. Sorensen, theksoi se bashkëpunimi i planifikuar në marrëveshje do të fokusohet në fushat e këshillimit për migracionin dhe, më konkretisht, në këshillimin dhe informimin e grupeve të caktuara mbi mundësitë e migracionit të ligjshëm të punës dhe perspektivat e arsimimit dhe të punësimit në Shqipëri; përditësimin dhe ofrimin e materialeve informative rreth migracionit të punës, mundësitë për hyrje në tregun gjerman të punës dhe trajnimet përkatëse për personelin e sporteleve të migracionit;  ngritjen e kapaciteteve të sporteleve ekzistuese të migracionit të SHKP-së lidhur me informimin mbi rrugët ligjore të migracionit të punës; përmirësimin e bazës të të dhënave për aktorët në terren dhe situatën e grupeve të synuara si dhe krijimin e një rrjeti me aktorët përkatës në fushën e arsimit dhe punësimit. Siç bëri me dije znj. Sorensen për komisionin, granti është në vlerën 1.5 milionë euro dhe synon sigurimin e  ekspertëve, furnizimin me materiale dhe pajisje, kostot operative dhe administrative si edhe kontribute të tjera. Relatori, z. Edmond Leka, shprehu dakordësinë e tij me projektligjin. Në përfundim të diskutimeve komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.