Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi u takua me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Guusje Korthals Altes.

  • Postuar më, 12/09/2018

12 shtator 2018

 

Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi, priti sot në një takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Znj. Guusje Korthals Altes.

 

Kryetari Ruçi e uroi ambasadoren Korthals Altes për misionin e saj në Shqipëri dhe i bëri me dije që i pret një bashkëpunim i ngushtë, sepse Shqipëria ndodhet në fazën përgatitore për hapjen e negociatave.  

 

“Për ne, qëndrimi i Holandës është shumë i rëndësishëm, si një vend me vlera e standarde të larta evropiane dhe me kërkesat e natyrshme që këto vlera të bëhen pjesë edhe e vendeve që pranohen në familjen evropiane. Por, që të arrihet kjo, ne e dimë që kemi shumë punë. Ne besojmë shumë te mbështetja e Hollandës”, ishin fjalët e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

 

Më tej, z. Ruçi e konsideroi bashkëpunimin politik midis të dy vendeve si shumë të mirë dhe shprehu konsideratën se kësaj marrëdhënieje të mirë i kanë shërbyer edhe shkëmbimi i vizitave të nivelit shumë të lartë.

 

“Investimet holandeze në Shqipëri vijnë gjithashtu duke u rritur dhe kanë arritur shifrën 800 milionë USD, çka është tregues i thellimit të bashkëpunimit midis të dy vendeve. Gjithashtu, kontaktet midis njerëzve janë rritur dhe kjo i shërben më mirë njohjes reciproke midis të dy popujve dhe imazhit të tyre në të dy vendet”, tha z. Ruçi, që më pas vijoi: “Ne po punojmë me Komisionin Evropian për procesin përgatitor, në mënyrë që qershorin e ardhshëm të realizohet aspirata jonë për fillimin e negociatave. Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e pesë prioriteteve kryesore: reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave dhe të drejtave pronësore”.

 

Kryetari i Kuvendit e falënderoi ambasadoren Korthals Altes edhe për kontributin e dy gjyqtarëve holandezë në Komisionin e Vetingut.


Ambasadorja Guusje Korthals Altes e falënderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për fjalët dhe pritjen e ngrohtë dhe e cilësoi Shqipërinë si një vend shumë të rëndësishëm për Holandën. Ajo siguroi se do të kontribuojë në zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve, sidomos në përshpejtimin e procesit të integrimit, por edhe në fusha të tjera si bashkëpunimi ekonomik, rritja e investimeve, bashkëpunimi në fushën e arsimit, mbështetja e shoqëricë civile etj.


Ambasadorja Korthlas Altes falënderoi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen që i jep bashkëpunimit shqiptaro-holandez dhe shprehu besimin se frut i këtij bashkëpunimi dhe i thellimit të reformave do të jetë edhe hapja e negociatave në qershorin  e vitit të ardhshëm.