Kuvendi u mblodh në seancë plenare

  • Postuar më, 13/09/2018

Në drejtimin e Kryetarit z. Ruçi, Kuvendi u mblodh sot seanca plenare, e cila  rrëzoi me 74 vota pro dhe asnjë kundër Dekretin e  Presidentit të Republikës nr. 10850, datë 30.07.2018, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.

Lidhur me këtë dekret, ministri i Financave z. Arben Ahmetaj sqaroi se ligji nuk ndryshon tatimin mbi fitimin për kompanitë e basteve, por rrit taksimin për Lotarinë Kombëtare, duke e çuar nga 10% në 15%.

 “Unë besoj që ata që kanë këshilluar Presidentin, e kanë këshilluar gabim. Ligji rrit ngarkesën fiskale për atë kompani që ishte përjashtuar nga taksimi prej 15%. Qëndrimi i mazhorancës është i prerë përsa i përket lojërave të fatit. Ne unifikuam standardin, për të sqaruar gjithologët, mënyra se si definohet baza e taksimit në këto lojëra fatit ka pasur një përjashtim Lotaria Kombëtare që taksohej ndryshe, të gjitha kompanitë e tjera taksoheshin me 15% dhe ajo 10%. 

Gjithashtu, ministri i Financave, z. Ahmetaj, tha se nga 1 janari  nuk do të ketë më në qytet kazino elektronike.

“Këtë vendime e  ka marrë kjo mazhorancë. Në 1 janar 2019  dua ta ndaj me qytetarët, dhe me ju nuk do të ketë më kazino elektronike, në bazë të ligjit kazinotë elektronike do të largohen në zona ku me ligj do të lejohet ky aktivitet që nuk ka lidhje me zonat e urbanizuara. 
 

Më tej, në emër të grupit parlamentar të PS-së, znj. Evis Kushi u shpreh se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist””, të ndryshuar  synon përmirësimin e formulës për dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit, apo familjarët e tyre.

Sipas, znj. Kushi buxheti i vitit 2018 siguron mbështetjen e nevojshme financiare për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë.

“Në ligjin ekzistues theksohet se kësti i dëmshpërblimit duhet të jetë jo më i vogël se 100 mijë lekë dhe jo më i madh se 1 milionë lekë. Projektligji heq kufirin e poshtëm prej 100 mijë lekësh. Krijohet mundësia që të gjitha subjektet përfituese parësore, të cilave u takon një vlerë totale dëmshpërblimi mbi 8 milionë lekë, ta përfitojnë të gjithë shumën e dëmshpërblimit. Sipas ligjit ekzistues, këtyre subjekteve u kufizohej dëmshpërblimi deri në 8 milionë lekë Ligji aktual, ndahet 70% për parësoret për bashkëshortin dhe fëmijët, 30% për trashëgimtarët e tjerë”, sqaroi deputetja znj. Kushi.

Ky projektligj, u votua me 74 vota pro.

Ndërsa, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, u shtynë për votim seancën e ardhshme sepse kërkojnë shumicë prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

 Seanca i mbylli punimet rreth orës 13:00.