Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 76-vjetorit të Konferencës së Pezës

  • Postuar më, 16/09/2018


Me rastin e 76-vjetorit të Konferencës së Pezës, nënkryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi mori pjesë në ceremoninë e organizuar në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme historike, që shënon bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

Të pranishëm në ceremoninë përkujtimore ishin Prefektja e Tiranës, znj. Suzana Jahollari, Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, deputetë, veteranë lufte dhe familjarë të dëshmorëve të LANÇ-it, të cilët shprehën mirënjohjen për sakrificat e djemve dhe vajzave që morën pjesë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Pikërisht më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila pati për qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste. Peza është një nga momentet më kyçe të LANÇ, e cila e rreshtoi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe të përparimit shoqëror.


Të 


Më pas, nënkryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi zhvilloi homazhe në varrezat e dëshmorëve në Pezë dhe para memorialit të patriotit, Myslym Peza si dhe vendosi një kurorë me lule.


Fjala e plotë e Nënkryetarës së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, në Pezë:

Të dashur veterane dhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare,

Të respektuar pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve,

Të nderuar banorë të Pezës,

Motra dhe vëllezër,

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, ju shpreh të gjithëve mirënjohjen, përshëndetjet dhe urimet më të mira që sot jemi bashkë këtu, në Pezën heroike.

Peza është pa asnjë dyshim vendi më i përshtatshëm dhe më i bukur për të revokuar e kremtuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për luftëtarët e lirisë, që këtu në Pezë ndërtuan themelet e unitetit e të bashkimit të shqiptarëve “Pa dallim klase, feje, krahine dhe ideje”, duke u mbështetur në devizën e rilindasve “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Për Pezën që u be streha, gjeneratori dhe emblema e këtij bashkimi, Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të mëdha të Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ajo krijoi bashkimin më të fuqishëm të shqiptarëve në të gjithë historinë e tyre. Ky bashkim u bë faktori vendimtar i fitores mbi okupatorët e bashkëpunëtorët e tyre. Të gjithë përulemi me respekt për të nderuar protagonistët dhe pjesëmarrësit e kësaj Konference për vizionin e tyre largpamës, treguar 76 vjet më parë.

Historinë e Pezës dhe të Konferencës së saj, këtij momenti magjik të Luftës sonë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, e dimë të gjithë. Prandaj, më lejoni të ndaj me ju disa mësime që duhet të nxjerrim e mbajmë parasysh sa herë që përkujtojmë Konferencën e Pezës, sa herë që vijmë në Pezë dhe flasim për Pezën, sa herë që revokojmë Luftën dhe dëshmorët e luftëtarët e saj.

Motra dhe vëllezër,

Ky emër, ky fshat, kjo shtëpi që kemi përballë dhe mbi të gjitha njerëzit e saj, na ngjallin të gjithëve emocione dhe na krijojnë të gjithëve frymëzim, na motivojnë të gjithëve për ta dashur më shumë Shqipërinë, për të punuar më shumë bashkërisht. Peza na frymëzon për të bërë punë edhe më të mira për Shqipërinë, por Peza na qorton kur interesat politike i vemë përmbi interesin kombëtar.

Interesi ynë më i madh kombëtar në ditët e sotme është ta bëjmë Shqipërinë politikisht dhe juridikisht ashtu siç është në frymën dhe shpirtin e çdo shqiptari: një Shqipëri europiane, anëtare të Bashkimit Europian, familjes më të madhe demokratike të botës së sotme, me mbi gjysmë miliardë banorë; të kësaj familjeje, e cila bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë dy pjesët më të zhvilluara, më të ndriçuara dhe më të begata të qytetërimit perëndimor, të cilat janë shndërruar në motivin e qenies dhe modelin e të ardhmes së të gjithë popujve e kombeve liridashës e demokraci-dashës të botës së sotme. 

Peza është një nga momentet më kyçe të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, e cila e rreshtoi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe të përparimit shoqëror. Sot, ana e duhur e historisë është anëtarësimi në Bashkimin Europian, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera demokratike, kontributi për paqen, demokracinë dhe stabilitetin në rajon, në kontinent e më gjerë.

Peza u tregoi shqiptarëve se janë më të fortë dhe bëhen të pamposhtshëm kur janë të bashkuar. Sot, bashkimi për Shqipërinë na shtron si imperativ të mbështesim të gjithë zhvillimin dhe progresin e atdheut tonë të dashur. Por, përparimi i Shqipërisë është i mundshëm dhe i arritshëm vetëm nëse bëhemi bashkë për të çuar deri në fund reformat e thella që kërkojnë nevojat e zhvillimit, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Organizatorët dhe pjesëmarrësit e Konferencës së Pezës meritojnë të gjithë respektin e nderimin tonë dhe të brezave që do të vijnë për hapin e jashtëzakonshëm dhe historik që ndërmorën në këtë Konferencë bashkimi; për guximin e treguar, duke thyer paragjykimet e një kohe që i kishte mbajtur shqiptarët të ndarë e kundër njeri-tjetrit; për meritën e hapjes së një faqeje të re në historinë e vendit e në raportet në mes tyre. Ata braktisën gjithçka tjetër dhe çdo gjë që i ndante për tu bashkuar rreth një kauze e të përbashkët, çlirimit të Shqipërisë.

Ne nuk kemi asgjë që të na ndajë drejt reformave për të ardhmen europiane të Shqipërisë, për mirëqenien e të gjithë shqiptarëve, për të jetërsuar idealet e lirisë me vlerat europiane dhe parimet e standardet  demokratike.

Rrofshi të gjithë Ju, veteranë/e  dhe pjesëmarrës të nderuar!

Rroftë Peza!

Rroftë Shqipëria!