Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi i uron fillimin e vitit të ri shkollor nxënësve dhe mësuesve të gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier

  • Postuar më, 17/09/2018

Kryetari i Kuvendit z.  Gramoz Ruçi ishte sot mes nxënësve, mësuesve e prindërve të gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier, për t’u uruar atyre fillimin e vitit të ri shkollor.


Kryetari i Kuvendit z. Ruçi theksoi se rreth 44 mijë nxënës, nën kujdesin, dijet dhe urtësinë e 4 mijë mësuesve, në 173 shkollat e qarkut të Fierit nisin betejën fisnike për dijet dhe shkencën.


Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Ruçi  i uroi më së pari e mbi të gjitha si një mësues i vjetër, si koleg dhe prind, si vëllai e miku i tyre, si deputet i Fierit, e natyrisht edhe me përgjegjësinë e lartë të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.


Më tej, Kryetari z. Ruçi u shpreh se arsimi dhe shkolla kontribuojnë për të ndërtuar një shoqëri që qëndron e bashkuar dhe harmonike, përballë rrezikut të përjashtimit dhe copëtimit social.


Në Fier, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit jetojnë njerëz nga më punëtorët  e Shqipërisë, mësojnë nxënësit më të etur për dije dhe mjeshtëri pune dhe derdhin dituritë e tyre, mësues nga më të mënçurit e më të përkushtuarit që ka Shqipëria.  


Fjala e plotë  e Kryetarit të  Kuvendit z.  Gramoz Ruçi, në gjimnazin “Janaq Kilica”, në Fier:

 

Të dashura vajza dhe djem të Fierit, nxënës në gjimnazin “Janaq Kilica”, të kësaj shkolle me emër në të gjithë Shqipërinë,

Të respektuara mësuese dhe mësues,

Të nderuar prindër, 

Jam i lumtur tju përshëndes në ditën e parë të vitit të ri shkollor.


Sot, rreth 44 mijë nxënës, nën kujdesin, dijet dhe urtësinë e rreth 4 mijë mësuesve, në 173 shkollat e qarkut të Fierit nisin betejën fisnike për dijet dhe shkencën.

Një vit të mbarë dhe me rezultate të larta e të merituara.


Ju përshëndes dhe ju uroj më së pari e mbi të gjitha si një mësues i vjetër, si koleg dhe prind, si vëllai e miku juaj, si deputet i Fierit, e natyrisht edhe me përgjegjësinë e lartë të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. 

Dita e parë e shkollës nuk është vetëm një ditë feste, por edhe një moment reflektimi. 

Fieri është një rezervuar i madh demografik për Shqipërinë: qarku i dytë i madh pas Tiranës, ku banon rreth 11% e popullsisë së vendit. 


Fieri është edhe një potencial i madh rinie, energjie dhe shkollimi: rreth 15% e popullsisë së qarkut janë nxënës shkolle. 

Në provimet e maturës shtetërore të këtij viti, nga 1778 maturantë të qarkut Fier, u morën  551 nota dhjeta në të katër provimet. 

Qarku ynë është realisht një motor i zhvillimit të vendit, qarku i dytë, pas Tiranës, për nga kontributi me rreth 12% në ekonominë e Shqipërisë.  


Ekonomia dhe forca e punës e qarkut ka aktualisht një produktivitet më të lartë krahasur me shumicën e qarqeve të vendit.

Prandaj le të punojmë të gjithë që ta bëjme Fierin, të gjithë Myzeqenë e Mallakastrën jo vetëm një hambar prodhimesh, por edhe një rezervuar të madh dijesh.


Sepse sot ekonomitë e forta konkurrojnë jo me forcë të lirë pune, por me dije, shprehi, aftësi dhe produktivitet. 

Shqipëria po rritet edhe në saj të ekonomisë së dijes. Dhe ekonomia e dijes nuk zhvillohet e ndërtohet vetëm në Tiranë, por edhe këtu në Fier dhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit.


Ku jetojnë njerëzit më punëtorë të Shqipërisë, ku mësojnë nxënësit më të etur për dije dhe mjeshtëri pune, ku derdhin dituritë e tyre mësues nga më të mënçurit e më të përkushtuarit që ka Shqipëria.  


Për ne arsimi është një e mirë publike dhe individuale, themeli i ndërtimit të së ardhmes, rruga kryesore e mirëqenies dhe e përballimit të sfidave të integrimit dhe europianizimit të shoqërisë shqiptare.


Ne të gjithë dëshirojmë të bëhemi europianë. Por europianë  të mirë e dinjtozë na bën shkolla dhe arsimi europian. 

Prandaj ne punojmë që ky mandat të bëhet mandati i investimeve më të mëdha në arsim, i shtimit të  kapaciteteve të mjediseve mësimore, i eliminimit të mësimit me turne, i mundësimit të sistemit të ngrohjes për shumicën e shkollave, i kompletimit të bibliotekave, sallave të teknologjisë së informacionit, laboratorëve e kabineteve, të bazave prodhuese dhe terreneve sportive.


Ne punojmë për një sistem arsimor, i cili ndihmon në kultivimin e identitetit vetjak, kulturor e kombëtar; 

Zhvillimin e intelektit dhe formimin e vlerave  qytetare, morale e sociale; 

Forcimin e përgjegjësisë ndaj vetes, shoqërisë dhe mjedisit; 


Aftësimin për jetë dhe për punë, zhvillimin e shpirtit të sipërmarrjes dhe përdorimin e teknologjive të reja.  

Që krijon bazat për një jetë të pavarur e aktive në tregun e punës dhe në shoqëri.

Që shkolla shqiptare të transmetojë dije, formojë shprehi dhe kompetenca, për t’u dhënë zgjidhje problemeve individuale e të shoqërisë. 


Sa më shumë njerëz të kenë qasje në arsimin cilësor, aq më e lartë, cilësore dhe e qëndrueshme do të jetë rritja ekonomike.  


Gjatë mandatit tonë të parë çliruam mbi gjysëm milionë nxënës nga tekstet mediokre dhe çelëm epokën e teksteve të standardeve të larta të Bashkimit Europian. 


Prioritet i politikave tona arsimore është barazia sociale në arsim, mundësitë e barabarta për shkollim cilësor të të gjithë fëmijëve, pavarësisht originës, gjinisë, vendbanimit dhe të ardhurave. 


Talenti nuk duhet të humbasë për shkak të origjinës, aftësive të kufizuara fizike dhe mundësive ekonomike të familjes. 

Kujdesi ynë për shkollimin mundëson që sot të përfitojnë tekste falas: 

Nxënësit nga klasa e parë në të katërt;

Nxënës nga familjet me shumë fëmijë;


Nxënësit e familjeve në ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie;

Fëmijët romë, egjiptian dhe grupe fëmijësh të tjerë në nevojë. 

Kjo po lehtëson barrën e familjeve në nevojë për arsimimin e fëmijëve.


Ne po ndërtojmë një arsim profesional konkurrues, që u jep nxënësve njohuri të reja, aftësi e kompetenca për t’iu përgjigjur zhvillimit të vendit dhe dinamikës së tregut të punës. 


Një shkollë profesionale pritet të ndërtohet së afërmi në qytetin e Fierit. 

Ne do të vazhdojmë të punojmë që arsimi të kompesojë kohën e humbur nga mungesa e vëmendjes politike dhe burimeve financiare e njerëzore për shkollën. 


Ne do të thellojmë kthesën e filluar që shkolla dhe arsimi të mos jenë më “viktima” të tranzicionit, por rruga kryesore e avancimit individual dhe mirëqenies së familjeve e të shoqërisë. 

Arsimi dhe shkolla kontribojnë për të ndërtuar një shoqëri që qëndron e bashkuar dhe harmonike, përballë rrezikut të përjashtimit dhe copëtimit social. 


Për të ndërtuar një vend e shoqëri, strehë të përbashkët e të sigurtë, që përmirësohet vazhdimisht nga kontributi i të gjithëve dhe ku të gjithë respektojmë e duam njëri-tjetrin. 

Suksese dhe një vit të mbarë.