Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratuan pesë projektligje të rëndësishme.

  • Postuar më, 18/09/2018

Të pranishëm në komisione ishin Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, nënkryetari  Bashkisë z. Arbër Mazniku, zëvendësministrat e Ekonomisë dhe Financave, znj.  Dajana Sorensen dhe z.Erion Luçi , si dhe përfaqësues të tjerë të ministrive.


Për të  prezantuar  projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë – Elbasan”,  ishte i ftuar Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, i cili  u shpreh se rruga Elbasan-Tiranë kërkon 138 mln dollarë më shumë nga sa ishte parashikuar në fillim.

“Kjo vepër ka qenë e planifikuar të mbarojë për 312 milionë dollarë dhe sot kostoja e rrugës ka shkuar 450 milionë dollarë. Një vlerë e shtuar mbi 44%, por me shtesën e kredisë dhe bërjen e vlefshme të fondeve në një kohë të mëparshme dhe besoj që kjo rrugë do të mbarojë brenda afatit ”, tha ministri Gjiknuri, ndërsa kërkoi që marrëveshja të hyjë në fuqi menjëherë, dhe jo dy javë nga publikimi në Fletoren Zyrtare.


Sipas ministrit Gjiknuri kredia shërben për investimet shtesë të një vepre, e cila ka mbetur akoma pa u përfunduar. “Bëhet fjalë për rrugën Tiranë Elbasan një rrugë me rëndësi shumë të madhe kombëtare, një rrugë që fatkeqësisht ka marrë shumë vite për t’u përfunduar por pa miratimin dhe alokimin e këtyre fondeve kjo vepër nuk mund të përfundojë”, tha ai.

Sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve, Gjiknuri u shpreh se ka ardhur momenti që të kontribuojnë përdoruesit. Ai u shpreh se duhen rreth 50 milionë dollarë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor në vend

“Qeveritë e mëparshme nuk kanë financuar më shumë se 2 miliardë lekë. Ka ardhur momenti që përdoruesit e rrugës të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugës. Parimi është ai që përdor rrugën dhe konsumon më shumë është e vetmja zgjidhje që kanë gjetur të gjithë vendet e botës, aq më tepër vendet me buxhet të varfër si Shqipëria", u shpreh ministri Gjiknuri.


Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfË Frankfurt am Main (KfË), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të eficencës së energjisë, faza II” ishte i ftuar nënkryetari i Bashkisë Tiranë z.Arbi Mazniku.


“Historia e këtij granti fillon nga vizita e zonjës Merkel në Tiranë, e cila gjatë vizitës angazhoi qeverinë Gjermane për grantin e parë prej 4.5 milionë euro, i cili filloi funksionimin. Gjatë procesit të auditimit dhe vlerësimit të objekteve u vlerësua nga pala gjermane që duheshin pak më shumë para për të arritur ato objektiva që ato kishin për rehabilitimin tërësor të ndërtesave. Kemi një raport nga ana gjermane për ta kaluar grantin nga 4.5 në 6.5 milionë euro, duke shtuar dy milionë euro të tjera grant.”,- u shpreh z.Mazniku.


Në lidhje me marrëveshjen e zbatimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Këshillimi për migracionin në Shqipëri”, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave znj.  Dajana Sorensen  tha se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje synohet të luftohet migracioni i parregullt, duke ofruar informacion për rrugët e ligjshme të migracionit të punës dhe duke informuar lidhur me arsimin dhe formimin profesional e perspektivat e tregut të punës, si në Gjermani, ashtu edhe në Shqipëri.


Ndërsa, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave z. Luçi tha se marrëveshja e  huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave, synon rritjen e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të sistemit elektroenergjetik shqiptar në kaskadën e lumit Drin dhe  rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë. Sipas z. Luçi  pjesa më e madhe e digave janë amortizuar dhe nuk është bërë remonti i digave të kaskadës.


Po sot, Komisioni i Politikës së Jashtme mori në shqyrtim dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash që përditëson marrëveshjen, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (Europol), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr. 28/2014”, i cili ka qëllim miratimin e amendimit të aneksit I të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (EUROPOL) për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, e cila është ratifikuar me ligjin nr.28/2014. Këto amendime janë propozuar në kuadër të ndryshimeve statutore të Europol-it.


Pas prezantimeve  dhe diskutimeve,anëtarët e te dy komisioneve i miratua nen për nen dhe në tërësi projektligjet në fjalë dhe ia kaluan për shqyrtim seancës plenare.