Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektligj dhe bëri disa vlerësime kandidaturash.

  • Postuar më, 18/09/2018

18 shtator 2018
 
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, në mbledhjen e sotme miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë-Elbasan”. Gjithashtu, komisioni bëri vlerësimin e meritës dhe përmbushjes së kushteve dhe kritereve të kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
 
Komisioni i nisi diskutimet pas miratimit të procesverbaleve të mbledhjeve të komisionit të zhvilluara më datat 10, 11, 12 shtator 2018. Në cilësinë e komisionit përgjegjës, relatorja znj. Klotilda Bushka, njohu komisionin me relacionin e përgatitur për vlerësimin e kritereve të kandidatëve.
“Të nëntë kandidatët plotësojnë kriteret formale ligjore, nuk vihet re ndonjë pengesë formale proceduriale apo substanciale për të penguar vijimin e këtyre kandidaturave me procesin e përzgjedhjes së tyre sipas procedurave të përcaktuara në vendimin e Kuvendit, nr. 74/2018. Të nëntë kandidatët, Andi Muratej, Artan Spahiu, Gezim Allaraj, Ilir Kadiu, Irena Nino, Lindita Rusmajli, Sajmir Shehri, Sajmir Vishaj, Suzana Pasha Hoti, në kuptimin formal procedurial i plotësojnë kriteret e përcaktuara në vendimin e Kuvendit, nr. 74/2018”, u shpreh znj. Klotilda Bushka. Në përfundim të relatimit të znj. Bushka, komisioni miratoi dërgimin në seancë për votim të të nëntë emrave të kandidatëve.
 
Në pikën e fundit të diskutimeve të rendit të ditës, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillimin Ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë-Elbasan”. Të pranishëm për prezantimin e projektligjit në komision ishin z. Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe z. Erjon Luçi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.
 
Ministri Gjiknuri bëri me dije anëtarët e komisionit se riparimi emergjent i punimeve vë në përdorim të plotë dhe me standarde të rrugës Tiranë-Elbasan, me gjatësi prej 27 km brenda këtij viti. Për ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës, koha dhe paratë janë të mjaftueshme që kontrata të përfundojë në kohë e sipas tij, kërkesa për financime të tjera ka ardhur si pasojë e problematikave të hasura, ku theksoi problemet e shumta gjeologjike e kryesisht rrëshqitjet në zonat e Mulletit dhe Ibës. Relatori i projektligjit në komision, z. Adnor Shametaj, shprehu mbështetjen e plotë për nismën ligjvënëse në shqyrtim. Komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.
 
Shqyrtimi nen për nen i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17. 4. 2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar, parashikuar si pikë e dytë e diskutimeve në rendin e ditës së komisionit, për shkak të pamundësisë së pjesëmarrjes të ekspertëve teknikë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me kërkesë të relatorit z. Alekt Hyseni, u shty për shqyrtim në ditët në vijim.