Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje të rëndësishme
- Postuar më, 19/09/2018

Në mbledhjen e
sotme të komisionit ishin të ftuar përfaqësues nga Ministria e Financave dhe
Ekonomisë. Kryetarja e këtij komisioni znj. Mimi Kodheli kërkoi nga të ftuarit
prezantim të detajuar për të dy projektligjet.
Për
projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktin e Gjenevës të
marrëveshjes së Lisbonës për emërtimet e origjinës dhe treguesit gjeografikë”,
ishin të ftuar zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Albana Shkurta
dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie.
Akti i Gjenevës
mundëson regjistrimin ndërkombëtar të treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të
origjinës dhe lejon hyrjen në marrëveshjen e Lisbonës të organizatave
ndërqeveritare. Ky akt zhvillon më shumë kuadrin ligjor të sistemit të
Lisbonës, një sistem që ndihmon në promovimin global të shumë produkteve si për
shembull Scotch Whisky, çaj Darjeeling, kafen e Kolumbisë, verëra, veshje,
artikuj qeramike, qelqi etj. Projektligji është konsultuar dhe bashkërenduar me
Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
“Është një
iniciativë relativisht e re, e marrë nga vendet, e cila e shtrin dhe e zgjeron
llojin e mbrojtjes që iu ofrohet mbajtësve të markave tashmë duke i shtrirë
këto elemente të mbrojtjes edhe përsa i përket emërtimit të origjinës dhe
treguesit gjeografikë, të cilat i japin disa karakteristika unike produktit dhe
i japin mundësinë që automatikisht në të gjitha vendet që aderojnë në aktin e
Gjenevës marrëveshjen e Lisbonës, nëpërmjet regjistrimit që kryhet në një vend
të kenë mundësinë e mbrojtjes automatike të emërtimit të origjinës dhe
treguesit gjeografikë tashmë edhe në të gjitha vendet që kanë ratifikuar këtë
marrëveshje.”,- u shpreh znj. Shkurta.
Pas diskutimeve
mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve, projektligji u miratua nen për nen
dhe në tërësi.
Për
projektligjin e dytë “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes
së huas dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga
Ministria e Financave, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe KfW Frankfurt Am Main,
për financimin e programit “Fondi i investimeve sociale IV” , te ftuarit ishin
përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Nëpërmjet këtij
projektligji synohet ratifikimi i marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së
huas dhe programit, të lidhur ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar
nga Ministria e Financave, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe KfË Frankfurt Am
Main, për financimin e programit “Fondi i Investimeve Sociale IV”. Ndryshimi i
propozuar i marrëveshjes së huas dhe projektit, konsiston vetëm në shtyrjen e
afatit të përdorimit të kredisë së akorduar për projektin në fjalë dhe nuk
përbën ndonjë ndryshim në shumën apo termat e tjera financiarë të kredisë.
Pas diskutimeve
projektligji u miratua nen për nen dhe në tërësi.