Reporterët e Komisionit të Venecias takim informues me Zëvendëskryetaren e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi dhe kryetarin e komisionit të Çështjeve Ligjore, z. Ulsi Manja

  • Postuar më, 19/09/2018


Pas kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë drejtuar Komisionit të Venecias për dhënie opinioni për projektligjin “Për nismën ligjvënëse të shtetasve në Republikën e Shqipërisë”, një delegacion i  reporterëve të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODHIR-it zhvilloi sot një vizitë informuese në Tiranë. Reporterët e Komisionit të Venecias u takuan në mjediset e Kryesisë së Kuvendit me zëvendëskryetaren e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi dhe kryetarin e Komisionit për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z. Ulsi Manja. Takimi kishte për qëllim diskutimin rreth projektligjit, i cili ka ardhur si propozim nga shoqëria civile dhe është depozituar në Kuvend me firmat e deputetëve Vasilika Hysi dhe Taulant Balla. 


Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, pasi falënderoi reporterët e Komisionit të Venecias për gatishmërinë e tyre për dhënien e asistencës mbi projektligjin “Për nismën ligjvënëse të shtetasve në Republikën e Shqipërisë”, i vuri në dijeni  për domosdoshmërinë e miratimit të projektligjit i cili do të ndihmojë shtetasit shqiptarë që të sjellin në Kuvend, në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa firma deputetësh, nisma ligjore me iniciativë qytetarësh.


“Ne e vlerësojmë shumë rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut në procesin vendimmarrës. Kuvendi i Shqipërisë ka bërë një progres jashtëzakonisht të madh në pjesëmarrjen e publikut në diskutimin e projektligjeve. Shumë projektligje ndryshojnë falë konsultimit publik, rolit të organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve të pavarur, profesionistëve, por në kuadër të 20-vjetorit të Kushtetutës, ne kemi detyrimin ligjor të përmbushim një nga mangësitë, që ekziston realisht: ushtrimin e se drejtës së 20,000 zgjedhësve për të hartuar dhe depozituar një nismë ligjore”, - u shpreh në takim zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi.


Z. Ulsi Manja, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, vlerësoi angazhimin e Komisionit të Venecias për t’u informuar mbi opinionet e drejtpërdrejta të përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me projektligjin, të cilin e konsideroi “një kontribut dhe ushtrim të demokracisë së drejtpërdrejtë të qytetarëve ne procesin e ligjbërjes dhe si një pjesëmarrje aktive e tyre në jetën publike”.    


Në takim, znj. Hysi dhe z. Manja, si edhe përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODHIR-it shkëmbyen opinione lidhur me çështje të caktuara të projektligjit. Ekspertët e Komisionit të Venecias bënë edhe vlerësimet dhe sugjerimet përkatëse për secilën ndër çështjet.


Delegacioni i Komisionit të Venecias zhvilloi takime dhe me përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend, me ekspertë të shoqërisë civile që kanë kontribuar në përgatitjen e projektligjit, si dhe me përfaqësues të qeverisjes vendore.