Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektligj, tre projektvendime, dhe zhvilloi një seancë dëgjimore

  • Postuar më, 25/09/2018

25 shtator 2018

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit të Komisionit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme të komisionit tre projektvendimet si vijon: “Për një shtesë personeli në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit”, “Për disa ndryshime të strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, “Për shtesë të numrit të punonjësve dhe riklasifikim të pagave të administratës së institucionit të Komisionerëve Publikë”. Komisioni, në mbledhjen e sotme, miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondi Shqiptar të Zhvillimit dhe Kfw Frankfurt Am Main, për financimin e programit “Fondi i investimeve socialeve IV””. Si pikë të fundit të rendit të ditës, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi seancën dëgjimore me kandidatët për një vend vakant në Bordin e Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.  

 

E pranishme në komision për paraqitjen  e projektvendimit “Për një shtesë personeli në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit” ishte znj. Genta Tafa, kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Znj. Tafa kërkoi një shtesë personeli prej 16 punonjësish në përbërje të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe një riklasifikim pagash të strukturës. Znj. Laerta Poda, sekretare e Përgjithshme e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ishte e pranishme për paraqitjen e projektvendimit “Për disa ndryshime të strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”. Znj. Poda kërkoi shtimin në dhjetë të këshilltarëve ekonomikë, shtimin e dy përkthyesve, një specialisti IT-je, një specialisti prokurimi, një punëtori mirëmbajtjeje dhe një punonjësi pastrimi. Edhe znj. Poda kërkoi një riklasifikim pagash të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Për projektvendimin e tretë, “Për shtesë të numrit të punonjësve dhe riklasifikim të pagave të administratës së Institucionit të Komisionerëve Publikë”, të pranishëm në komision ishin z. Florian Ballhysa dhe z. Dariel Sina, komisionerë publikë.  Z. Hysa dhe z. Sina paraqiti në komision kërkesën për shtesë prej katër këshilltarësh në njësinë ligjore të institucionit, një shtesë për një specialist jurist në strukturën e administratës së institucionit dhe riklasifikim pagash për specialistët e deritanishëm të strukturës. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, me relator z. Bashkim Fino, propozoi miratimin e kërkesave me sugjerimet ndryshuese të komisionit për secilën prej tyre. Të trija projektvendimet e paraqitura në komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut, u miratuan me propozimet e deputetit, z. Fino.   

 

Komisioni vijoi mbledhjen e tij me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Kfw Frankfurt Am Main, për financimin e programit “Fondi i investimeve sociale IV”. I pranishëm në komision ishte z. Elton Haxhi, zëvendësministër i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Z. Haxhi, i bëri të ditur komisionit se ndryshimi i marrëveshjes së huas dhe programit për financimin e projektit “Fondi i investimeve sociale IV” konsiston në ndryshimin e nenit 3.2 të marrëveshjes, në të cilin përcaktohet afati i fundit i disbursimit të fondeve në kuadër të kësaj marrëveshjeje, duke e shtyrë atë deri me datë 30 tetor 2018, si dhe në zëvendësimin e emërtimit “Ministria e Financave”, kudo në tekst, me “Ministra e Financave dhe Ekonomisë”. Deputetja Elena Xhina, relatore e komisionit, shprehu dakordësinë e saj me projektligjin e paraqitur. Në përfundim të diskutimeve mbi këtë pikë të rendit të ditës, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi e miratoi projektligjin.

 

Pika e fundit e rendit të ditës së mbledhjes së komisionit parashikonte një seancë dëgjimore me kandidatët për një vend vakant, lënë pas ndarjes nga jeta të z. Kolec Topalli, në Bordin e Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Nga të tre kandidatët, z. Alfred Lako, z. Peter Saraçi dhe z. Bajram Gjishti, i vetmi që u paraqit në dëgjesën e komisionit parlamentar ishte z. Lako.  Dy kandidatët që komisioni vendosi t’i dërgojë seancës plenare ishin z. Alfred Lako dhe z. Peter Saraçi.