Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 01/10/2018

1 tetor 2018

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme dy projektligje: miratoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, dt. 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, nismë e 37,527 zgjedhësve dhe miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve të ndryshuar”.  


Për shqyrtimin në parim të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27. 1. 1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, nismë e 37,527 zgjedhësve” të pranishëm në komision ishin z. Indrit Osmani, drejtor ekzekutiv i shoqatës “Animal Rescue Albania” dhe z. Jonel Kristo, anëtar i Bordit Drejtues dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Z. Osmani njohu anëtarët e komisionit me nismën. Z. Osmani vuri në dukje mangësitë në legjislacionin vendas dhe solli referenca nga legjislacioni i vendeve të Bashkimit Evropian. Relatori i komisionit, z. Adnor Shameti, e përkrahu në parim projektligjin e ardhur në Kuvend. Në përfundim të diskutimeve, në cilësinë e komisionit përgjegjës, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut e miratoi në parim projektligjin.


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vijoi me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit tjetër të parashikuar në rendin e ditës: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008”, Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar. I pranishëm në komision për projektligjin ishte z. Elton Haxhi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe përfaqësues të tjerë të ministrisë. Relatori i projektligjit, z. Alekt Hyseni, propozoi disa përmirësime të teknikës legjislative në 25 nene të projektligjit, me qëllim përmirësimin e draftit të paraqitur në komision.  Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin me ndryshimet e propozuara nga relatori.