Nënkomisioni për Barazinë Gjinore, seancë dëgjimore mbi funksionimin e mekanizmit të referimit të dhunës në familje

  • Postuar më, 01/10/2018

Të ftuar në këtë dëgjesë ishin Aleanca e Grave Deputete, Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ardiana Jaku, Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues i UNDP z. Brian J. Williams, përfaqësues nga shoqëria civile dhe nga organizata të ndryshëm si ANYN, CRCA, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim,  Shoqata për Autonomi Vendore, Shoqata e Bashkive, Qendra Gratë në Shërbim Publik, Qendra për të drejtat e njeriut në Demokraci, etj.

Diskutimi kryesor i mbledhjes së sotme ishte për gjetjen e përbashkët të zgjidhjeve dhe fuqizimit të mekanizmave në shërbim të problemit të dhunës në familje dhe dhunës në përgjithësi, si edhe ndihmesat për personat e prekur nga dhuna.

Kryetarja e nënkomisionit znj. Eglantina Gjermeni u shpreh: “Doja të theksoja faktin që parlamenti shqiptar vitin e kaluar ka miratuar një rezolutë kundër dhunës në familje dhe realisht për ta parandaluar dhe adresuar çështjet e dhunës nga gruas dhe dhunës në familje, duke i trajtuar ato si probleme shumë të mprehta të shoqërisë shqiptare.”

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ardiana Jaku theksoi ndryshimet ligjore që u morën ne 2018 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në lidhje me ligjin për masat e dhunës në marrëdhëniet familjare. “Ky është një detyrim ligjor që i shkon vetëqeverisjes, njësive të vetëqeverisjes vendore. Nga ana tjetër, ne nuk mund të lëmë pa mbështetje dhe pa suport ku jo vetëm t’i monitorojmë, por edhe t’i mbështesim gjithashtu mekanizmat e krijuar dhe për këtë arsye kemi zhvilluar trajnime nga sektori i barazisë gjinore dhe i përfshirjes sociale dhe ne do të vijojmë punën për fuqizimin e kapaciteteve të këtyre punonjësve”,- u shpreh znj. Jaku.

Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues i UNDP në Shqipëri z. Brian J. Williams, në fjalën e tij përgëzoi partneritetin mes qeverisë qëndore, qeverisë lokale, shoqërisë civile, si edhe organizatave për problemin e parandalimit të dhunës në shoqëri. Gjithashtu, z. Williams përgëzoi parlamentin edhe për ndryshimet e fundit ligjore sa i përket kësaj çështje.

Pjesë e dëgjesës, me planet e tyre të veprimit u bënë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, si edhe organizata dhe shoqata të ndryshme, ku shpalosën programet e tyre dhe mekanizmat ndërgjegjësues dhe materialet promovuese për parandalimin e dhunës në shoqërinë tonë, në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve dhe iniciativat e ndërmarra për përfshirjen më të gjerë të tyre në pozicione dhe procese vendimmarrëse.

Platformat propozuese të tyre dhe problematika që kanë monitoruar edhe gjatë menaxhimit të rasteve ishin funksionimi i ligjit, hapja e qendrave rehabilituese dhe ndërgjegjësuese, rregullimi i infrastrukturës në vendet rurale si edhe mbështetja ndaj këtyre personave, integrimi i tyre në shoqëri, organizimi i aktiviteteve të ndryshme, mbajtja e ligjëratave për dhunën në familje, dhunën ndaj grave, dhunën ndaj fëmijëve është një mundësi e mirë në tentimin e parandalimit të këtij problemi.

Në fund të dëgjesës dhe diskutimeve, kryetarja znj. Gjermeni e vlerësoi këtë seancë dëgjimore shumë të vlefshme në bazë të propozimeve të dhëna dhe të marra dhe ndarjes së informacioneve, si edhe cilësoi se ky nënkomision do të jetë shumë pro aktiv për këtë çështje të ndjeshme për të krijuar mekanizmin e referimit të dhunës në Bashki në nivel lokal.