Nga mjediset e Kuvendit të Shqipërisë filloi sot aktiviteti ndërkombëtar “Udha e Paqes në Ballkan 2018”

  • Postuar më, 03/10/2018




3 tetor 2018

 

Nga mjediset e Kuvendit të Shqipërisë filloi sot aktiviteti ndërkombëtar “Udha e Paqes në Ballkan 2018”. “Udha e Paqes”, e aplikuar në 120 vende të Botës, është projekti i Federatës së Paqes Universale që synon prej vitit 2006 ndërtimin e urave të komunikimit  mes kombeve, popujve dhe komuniteteve të ndryshme të botës. Në aktivitetin e sotëm, që përfshin 7 vende të Ballkanit Perëndimor, morën pjesë përfaqësues të këshillave të paqes, të rinj dhe të reja ambasadorë të paqes nga vendet e rajonit.

 


Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, mbajti një fjalë përshëndetëse të hapjes në këtë veprimtari, në të cilën u uroi mirëseardhjen miqve të ardhur nga parlamentet e vendeve të rajonit, edhe në emër të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. 

 

Duke vënë në dukje se siguria dhe paqja në Ballkan, në Evropë dhe në nivel global është sfida më e madhe, kapërcimi i së cilës kërkon përfshirjen e cilido individi, pavarësisht moshës, pozitës sociale dhe angazhimit të tij/të saj, vendit ku banon, në Ballkan apo larg tij, znj. Hysi nënvizoi se “Shqipëria është dhe do të mbetet një partner serioz dhe një faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, që kontribuon dhe do të kontribuojë në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik, ekonomik, social dhe kulturor të rajonit dhe më gjerë”.

 

Në vijim të fjalës së saj, Zëvendëskryetarja e Kuvendit u shpreh:

 

“Gjeopolitika e Ballkanit dhe zhvillimet në vendet fqinjë si : Kosovë, Maqedoni, Serbi diktojnë nevojë e forcimit të rolit të parlamentarëve në këtë proces. Fillimi i rrugëtimit në Rrugën e Paqes në Ballkan ( Peace Road Balkans 2018), sot, nga institucioni më i rëndësishëm në vend, ka bërë bashkë parlamentarë dhe ish parlamentarë shqiptarë, personalitete të larta me kontribute në vend, rajon, më gjerë, parlamentarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organet vendore në rajon , të rinj dhe të reja, ambasadorë të paqes nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vende të tjera për të udhëtuar nëpër rajon dhe për të përcjellë mesazhe të paqes dhe pajtimit. Secili/a prej nesh do të kontribuojë që të japë fund paragjykimeve, ndasive etnike, kulturore, fetare, në rajon dhe për të forcuar bashkëpunimin mes parlamentarëve dhe liderëve fetarë në rajonin e Ballkanit , mes të rinjve dhe të rejave dhe popujve tanë.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Për ne si parlamentarë, paqja, siguria dhe zhvillimi në rajon nënkupton bashkëpunimin rajonal, pra fqinjësi të mirë, zhvillimi ekonomik, demokraci funksionale, respektim i të drejtave të njeriut, qeverisje e mirë, angazhim të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, më shumë investime dhe më shumë për qytetarët e rajonit dhe të çdo vendi.

 

Ne luajmë dhe duhet të luajmë një rol të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë. Në kuadër të diplomacisë parlamentare dhe në ushtrim të funksioneve të tyre, parlamentarët shqiptarë kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të rajonit. Kontributi ynë jepet mes ushtrimit të funksioneve si ligjbërës, mes kontrollit parlamentarë, si përfaqësues të zgjedhur dhe si organ që zgjedhim mes votë sonë përfaqësues së institucioneve të rëndësishme kushtetuese.

 

Por sot promovimi i demokracisë dhe qeverisjes së mirë në nivel vendor dhe në parlament merr rëndësi në kuadër të paqes dhe zhvillimit në nivel kombëtar dhe rajonal. Edukimi qytetar dhe rritja e transparencës së parlamentit është në vëmendje të parlamentit shqiptar. Transparenca dhe gjithëpërfshirja, konsultimi publik i nismave ligjore, pjesëmarrja dhe bashkëpunimi I shoqërisë civile në ushtrimin e funksionit legjislativ dhe të kontrollit parlamentar kanë forcuar bashkëpunimin e parlamentit me shoqërinë civile. Të rinjtë dhe të reja janë tashmë jo thjesht vizitor në Kuvend, por zëri i tyre dëgjohet në diskutimin e projektligjeve dhe adresimin e shqetësimeve të tyre.

 

Pavarësisht vendeve nga vijmë dhe angazhimit tonë, Agjenda 2030, përmbushja e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm është sfida më e madhe ku jemi të angazhuar të gjithë.

Edhe ky rrugëtim që nis sot, le të shërbejë për të forcuar bashkëpunimin, mes nesh dhe vendeve tona, si një angazhim për përmbushjen e Objektivave të Qëndrueshëm në Ballkan dhe mes tyre të kontribuojë në paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

 

Sot i drejtohem në mënyrë të veçantë të rinjve dhe të rejave që janë pjesë e rrugëtimit në rrugën e Paqes në Ballkan, me besimin e plotë se ata mund të kontribuojnë për ti dhënë fund paragjykimeve dhe ndasive etnike, kulturore dhe fetare në rajon, për ti bërë vendet tona , për të qëndruar dhe kontribuar në zhvillimin e tyre dhe për mos ti braktisur ato dhe mbi të gjitha, të kontribuojnë për të forcuar kohezionin social në vendet tona dhe në rajon”.

 

Aktivitetin e përshëndetën ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë në periudhën 2002-2007, z. Alfred Moisiu dhe kryetari i Federatës së Paqes Universale për Evropën dhe Lindjen e Mesme, z. Michael Balcomb.

 

Ish-Presidenti i Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, përgëzoi të rinjtë që iu përgjigjën thirrjes për t’u bërë pjesë e iniciativës së Federatës së Paqes Universale. Për z. Moisiu, kombi shqiptar është një komb paqedashës dhe ky mesazh kombëtar duhet përcjellë edhe në vendet fqinje. Ish-Presidenti çmoi rëndësinë e mesazheve të tilla si paqja, komunikimi, bashkëjetesa, harmonia, pajtimi dhe mirëkuptimi mes popujve, me mjaft vlerë për Ballkanin e trazuar. Z. Moisiu e konsideroi fisnike nismën dhe u shpreh se Ballkani ka mjaft nevojë për ngjarje të tilla, që ngrihen mbi parime të larta.

Kryetari i Federatës së Paqes Universale, për Evropën dhe Lindjen e Mesme, z. Michael Balcomb, shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në parlamentin shqiptar. Z. Balcomb e konsideroi mjaft domethënës vizionin që paraqet rruga e paqes. Sipas tij, është mungesa e komunikimit që sjell keqkuptimet dhe moskuptimet ndaj njeri-tjetrit, qofshin individë, grupe apo vende të ndryshme. “Udha e Paqes”, sipas z. Balcomb, synon pikërisht shtimin e urave dhe rrugëve të komunikimit dhe besimit mes palëve të ndryshme.

 

“Udha e Paqes për Ballkanin 2018” u përshëndet edhe nga z. Gaqo Apostoli, kryetar i Federatës së Paqes për Shqipërinë; z. Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve dhe z. Shezai Rrokaj, deputet dhe koordinator i shoqatës ndërkombëtarëve të parlamentarëve për paqen. Pesë të rinj, ambasadorë paqeje nga vende të ndryshme të rajonit dhe bota përcollën mesazhet e tyre të paqes, mes të cilëve edhe një i ri nga Kosova dhe një e re nga Shqipëria.


 

Në përfundim të aktivitetit, ish-Presidenti Moisiu ua dorëzoi të rinjve flamurin e “Udhës së Paqes”, marrë në dorëzim nga Presidenca e Federatës së Paqes në Vjenë, për të nisur rrugëtimin e tyre të përçimit të mesazheve të paqes në rajon. Nga data 3 deri më 11 tetor 2018, 25 vullnetarë nga Shqipëria, Greqia, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe vende të tjera të Botës, do të udhëtojnë përmes 7 vendeve ballkanike të “Udhës së Paqes” Ballkan për t’u pritur nga përfaqësues të ndryshëm të politikës lokale e vendore në vendet e vizituara, e për të përçuar atje mesazhe të paqes, bashkëpunimit e mirëkuptimit.