Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë pritën në një takim informues një grup gazetarësh nga Gjermania

  • Postuar më, 04/10/2018

4 tetor 2018

Sot, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë të kryesuar nga Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, pritën në një takim informues një grup gazetarësh nga Gjermania.

Në takim, të pranishëm nga mazhoranca ishin deputetët znj. Vasilika Hysi, z. Ilir Pendavinji, znj. Klodiana Spahiu, z. Musa Ulqini, z. Fate Velaj, z. Bledi Çuçi dhe znj. Elisa Spiropali. Opozita parlamentare përfaqësohej në takim nga deputetët z. Oerd Bylykbashi, znj. Grida Duma dhe znj. Jorida Tabaku.

Gazetarët gjermanë, kryesisht të fokusuar në çështje të politikës dhe politikës ndërkombëtare, që përfaqësonin institucione mediatike të ndryshme gjermane, treguan interes për çështje si integrimi evropian dhe reformat e Shqipërisë në drejtim të përmbushjes së këtij synimi, masat kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, situatën e kriminalitetit në vend, reformat qeveritare me fokus drejtësinë dhe çështje konkrete që lidhen me të, reformën zgjedhore dhe çështjet e emigracionit dhe azilkërkuesve në Gjermani.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhanë këndvështrimet e tyre në përgjigje të interesit të gazetarëve gjermanë për secilën nga çështjet.