Prezantohet në Kryesinë e Kuvendit paketa e amendimeve të Kodit Zgjedhor

  • Postuar më, 09/10/2018

9 tetor 2018


Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit u mblodh një tryezë konsultative në drejtimin e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, z. Bledi Çuçi, për prezantimin e paketës së amendimeve të Kodit Zgjedhor, bazuar në rekomandimet e raporteve të OSBE/ODHIR-it, për tri zgjedhjet e fundit të viteve 2013, 2015 dhe 2017. Të pranishëm në këtë tryezë ishin anëtarë të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, përfaqësues të Ministrisë së Diasporës dhe Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të 23 partive politike joparlamentare, përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ekspertë teknikë, ekspertë zgjedhorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, si edhe përfaqësues të trupave diplomatike dhe organizatave të huaja të akredituara në vend. 

Z. Bledi Çuçi, mbledhjen e tryezës konsultative e konsideroi si fazë të rëndësishme të procesit të reformës zgjedhore, me qëllim prezantimin e projektit fillestar të amendimeve të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it në tre zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Për z. Çuçi tryeza është në vijimësi të kalendarit të dakordësuar me opozitën, duke qenë se koha për të kapur limitet ligjore është e kufizuar.

Sipasbashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, drafti pasqyron përpikmërisht rekomandimet e OSBE-ODHIR-it dhe normon konkluzionet e gjashtë tryezave të përbashkëta të komisionit të posaçëm “ad hoc” të reformës zgjedhore.

Bashkëkryetari Çuçi theksoi në fillim të fjalës së tij, se çështja e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje dhe çështja e votimit të emigrantëve, për shkak të situatës politike, nuk janë përfshirë. Ai theksoi se produkti nuk është i Partisë Socialiste dhe se mbetet i hapur për propozime ekspertësh dhe ndryshime të sugjeruara nga Opozita.

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore u shpreh se të 50 nenet që prezantoheshin sot, pasqyronin më së miri rekomandimet e OSBE-ODHIR-it.

Draftin e amendimeve, z. Çuçi e prezantoi mbi tre ndryshime kryesore: në drejtim të depolitizimit të komisioneve zgjedhore në nivel KZAZ-je dhe në nivel KQV-je, si çështje të financimit të fushatës dhe financimit të partive politike dhe së treti në drejtim të garantimit të ekuilibrit gjinor.  

Lidhur me depolitizimin e komisioneve zgjedhore, bashkëkryetari i reformës zgjedhore, z. Çuçi u shpreh:“ Kemi rënë dakord për depolitizimin, duke rritur performancën e anëtarëve të komisioneve përkatëse. Modeli që kemi ofruar është ky: në Shqipëri të krijohet një trupë administratorësh zgjedhorë, të kualifikuar dhe të certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, dhe komisionet, qoftë në nivel KZAZ-je, qoftë në nivel KQV-je, të jenë së pari më të pakët në numër dhe së dyti të përcaktuar me short nga KQZ-ja midis kësaj trupe të certifikuar dhe të mirëtrajnuar, të krijuar në regjistrat e KQZ-së”

Sa i takon çështjes së financimit të fushatës dhe financimit të partive politike në fushatë zgjedhore, z. Bledi Çuçi u shpreh: “Ajo mbetet një vendim i madh, që del përtej rekomandimit strikt të OSBE-ODHIR-it, që duhet të adresojmë një herë e mirë ne si mazhorancë-opozitë. Për të përmbushur rekomandimet që vijnë nga OSBE-ODHIR-i kemi bërë disa propozime, që vijnë në këtë frymë: të ngushtojmë nevojën për financim të partive politike në fushatë zgjedhore dhe të rrisim forcën e kontrollit të shpenzimeve të partive politike”.  

Lidhur me çështjen e tretë, garantimin e ekuilibrit gjinor përmes përfaqësimit 30% të gjinisë femërore në parlament dhe trupën e administratës zgjedhore, theksi në prezantimin e z. Çuçi u vu te dy elementë të parashikuar në ndryshimet e propozuara: mospranimin e regjistrimit të listave zgjedhore në rast mosreskeptimi të 30%-it të përfaqësimit dhe mekanizmit e zëvendësimit me kandidat brenda së njëjtës gjini, në rast dorëheqjeje nga gjinia femërore, duke kaluar edhe në listat e kandidateve të partisë aleate nëse e radha e kandidateve femra të njërës parti përfundon.

Pjesë e diskutimeve të tryezës u bënë shumë nga të pranishmit, që dhanë konsiderata, sugjerime dhe qëndrime të ndryshme për draftin e prezantuar nga z. Çuçi.