Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla

  • Postuar më, 10/10/2018

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u mblodh sot nën drejtimin e zv/ kryetares së komisionit znj. Milva Ekonomi dhe zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla, në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor në sistemin e arsimit para universitar. Znj. Nikolla ne fillim të prezantimit u shpreh se fëmijët nga klasa e parë deri tek e katërta përfituan librat falas, dhe se kjo nismë që këtë vit pilotohet për herë të parë, pritet të zgjerohet edhe me klasa të tjera në vitet pasuese.

Sipas MASR, disa nga kategoritë e nxënësve që marrin tekste falas janë nxënësit që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në të katërt, fëmijët nga i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje, nxënësit që janë pjesë e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, nxënësit që janë viktima të trafikimit e marrin ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës, fëmijët që janë përfitues në institucionet e përkujdesit social rezidencial në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit, fëmijët romë dhe egjiptian, fëmijët jetim etj.

Së dyti, ministrja e Arsimit znj. Nikolla  foli për përqendrimin e shkollave që kanë klasa kolektive dhe matjes së dijes që do i bëhet nivelit të nxënësve që mësojnë në klasa kolektive për të parë progresin e një viti më parë dhe për të adresuar ndihmën e duhur drejt këtyre nxënësve.

Gjithashtu znj. Nikolla foli për shërbimin e ri që ofrohet, në cilësinë e mësuesëve ndihmës për nxënësit me aftësi të veçanta, kjo gjë në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare si UNICEF por dhe të tjera të cilat po mundësojnë trajnimin dhe kualifikimin e këtyre mësuesëve.

“Do të doja  t’ju informoja për procesin e fillimit të vitit të ri shkollor,  por duke shtuar se  ka qenë një nisje, që jo çdo gjë ka qenë perfekte. Ne kemi ende shkolla që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente në rikonstruksionin e tyre. Kemi ende mungesë komunikimi,  për nga niveli i përgjegjësisë me Bashkitë ne vend, të cilët duhet të përgatisin në kohën e duhur mjediset shkollore, në mënyrë që të jenë gati për fillimin e vitit shkollor.”,- u shpreh ministrja e Arsimit.

Më tej, znj. Nikolla tha se në vend janë ri konstruktuar 26 shkolla që ofrojnë studim për afro 10 mijë nxënës, që do të thotë standard i ri i kushteve fizike si dhe kualifikimi i gjithë mësuesëve që janë në sistem, kjo për të përmbushur tagrin e ministrisë së Arsimit cilësinë e sistemit arsimor.

Pas prezantimit për masat e marra nga MASR për vitin e ri shkollor para universitar, anëtarët e komisionit shtruan pyetje, komente dhe sugjerime mbi seancën dëgjimore.

Në fund të diskutimeve, zëvendëskryetarja e komisionit që drejtoi mbledhjen e sotme të komisionit znj Ekonomi u shpreh se komisioni do të bëjë takime pune më agjencitë e varësisë të MASR, mbështetur kjo nw kushtin e kontrollit parlamentar qe ka si komision.