Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Kuvendi hap dyert për vajzat nga e gjithë Shqipëria, pjesmarrëse të Samitit të 1-rë të Vajzave.

  • Postuar më, 11/10/2018

Në  kujdesin e veçantë të tre ambasadoreve të këtij Samiti, znj. Dhurata Çupi, Kryetare e Aleancës së Grave Deputete, znj. Elona Gjebrea, Nënkryetare e Aleancës së Grave Deputete, në Kuvendin e Shqipërisë, znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  znj.Oriola Pampuri,  znj. Nora Malaj, znj. Klajda Gjosha, znj. Elisa Spiropali, dhe në bashkëpunim me Koalicionin për Arsimin (ACE), Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA), dhe Parlamenti Rinor Tiranë,  u organizua sot në mjediset e  Kryes Kuvendit të Shqipërisë “Dita Ndërkombëtare e Vajzave.” 


Në  takim, morën  pjesë rreth  22 vajza të reja të moshave nga 15-21 vjeç, si pjesë e fushatës globale, e cila zhvillohet në pesë kontinente dhe drejtohet nga Forumi Global i Grave në Politikë (ËPL), si edhe përfaqësuese të shoqërisë civile, akademisë e gazetarisë, Prefektja e Tiranës znj. Suzana Jahollari,  ku përcollën  mesazhe të forta për përfshirjen e gruas në politikë. 

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete znj. Dhurata Çupi  përgëzoi organizatorët për angazhimin e tyre dhe deklaroi se rritja e grave në politikë, do të thotë rritje e emancipimit, rritja e së drejtës dhe demokracisë në shoqëri. Znj. Çupi theksoi faktin se vajzat duhet të heqin çdo dyshim se kjo shoqëri u përket vetëm burrave, por ajo u përket atyre që kanë vullnetin dhe dëshirën për ta çuar vendin përpara. Ajo   theksoi se gratë nuk duhet të përdoren për fasadë dhe nuk duhen promovuar vetëm se janë të bindura. 


 “Nëse nuk realizojmë një fushatë për të drejtat dhe mundësitë e grave, bota në të cilën duam të jetojmë në vendin që ne të gjithë e duam, nuk do të jetë ajo që duhet të jetë. Gjatë gjithë historisë, gratë kanë udhëhequr lëvizjet për ndryshime  në çdo nivel dhe kanë qenë pjesë përbërëse e atij ndryshimi, politike, ekonomike dhe sociale”, tha  kryetarja e AGD.

 Nënkryetare e Aleancës së Grave Deputete znj. Elona Gjebrea u shpreh se të gjitha vajzat e reja janë pjesë e ndryshimeve në shoqëri, dhe sipas saj,politika shqiptare ka nevojë për dinamizëm, për vizionin e të rinjve. “Të gjitha ju që jeni sot këtu duhet të jepni kontributin tuaj në politikë dhe mos të jeni indiferente sepse kjo bënë që edhe ato elementë të këqij të politikës të rrinë sa më gjatë” , tha znj. Gjebrea. 


Ministrja  e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manasterliu tha se: ” sot jemi bashkë në Samitin e Parë të Vajzave dhe se fotografia e sotme shpresoj që te jetë fotografia e të ardhmes së afërt”.

Politika- tha znj.Manasterliu,  nuk është një qëllim në vetvete, por mjeti që kemi në dorë për të realizuar ëndrrat që kanë gratë në Shqipëri dhe në botë.


Ndër të tjera, ajo u shpreh se  të gjitha gratë udhëheqin përmes shembullit sepse udhëheqëset e së ardhmes do të jenë ato që do ti bëjnë njerëzit të sigurt dhe mbi të gjitha të vlerësuar.Ndaj, sot theksoi ministrja e Shëndetësisë, duhet të  mbështesin njëra-tjetrën, jo për një luftë gjinore, por për një përpjekje të përbashkët, për më shumë gra në drejtim.

Ministrja e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manasterliu, ndër të tjera, tha se një gruaja ka më shumë mundësi të shkëlqejë kur drejton, por duhet vetëm të dijë ta besojë.


Më tej, takimin e përshëndeti dhe deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Nora Malaj, e cila u shpreh se kush më bukur se vajzat e gratë mund të bënin politikën të jetë sa më sociale e produktive për njerëzimin, larg gjuhës së urrejtjes  dhe pro zgjidhjes së problemeve të njerëzimit.


“Njerëzit duhet të besojnë, të guxojnë dhe të jenë pjesë e ndryshimit tënd. Forca më e madhe është fjala, argumenti dhe dashuria për njëri-tjetrin. Kur gjërat bëhen me dashur, pasion, devocion dhe me mirësi dhe kur flitet në emër të kauzës të njerëzimit, që më shumë se kushdo e jep gruaja nuk ka sfidë më të madhe për jetën”, përfundoi ajo. 


Në mbyllje të takimit, mbi fuqizimin e vajzave dhe grave në politikë u miratua edhe një Rezolutë për të Drejtat e Vajzave në Shqipëri.