Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin që mundëson aderimin e Republikës së Shqipërisë në dy protokolle ndërkombëtare

  • Postuar më, 16/10/2018

16 tetor 2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në drejtimin e kryetares, znj. Ermonela Felaj, miratoi në mbledhjen e sotme të komisionit projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin 2005 të Konventës për Ndalimin e Akteve të Paligjshme Kundër Sigurisë së Lundrimit Detar, aderuar me ligjin nr.8850/2001, dhe Protokollin 2005 të Protokollit për Ndalimin e Akteve të Paligjshme Kundër Sigurisë së Platformave Fikse në Shelfin Kontinental, aderuar me ligjin nr.8850/2001”. Të pranishëm në komision për prezantimin e projektligjit ishin znj. Rovena Vodo, zëvendësministre e Brendshme dhe përfaqësues nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Aderimi i Republikës së Shqipërisë në këto dy protokolle synon forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare Detare për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, në aspektin e sigurisë detare duke bashkëvepruar me organet përgjegjëse dhe marrjen e masave të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, nëpërmjet rrugëve detare; realizimin e objektivave nga palët në lidhje me evidentimin e shkeljeve të rregullave të përcaktuara në protokollet e Konventës dhe legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar në fuqi”,- ishin fjalët e zëvendësministres së Brendshme, znj. Rovena Vodo, lidhur me përftitimet e Republikës së Shqipërisë nga aderimi në dy protokollet. Relatori i projektligjit, z. Vullnet Sinaj, shprehu dakordësinë e tij me projektligjin dhe vlerësoi në fjalën e tij aderimin e Shqipërisë në dy protokollet e ndryshuara në vitin 2005.

Komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin. Një ditë më parë, në cilësinë e komisioneve për dhënie mendimi, projektligji ishte miratuar nga komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme dhe komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.