Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, organizoi Tryezën “Të ulim varfërinë nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm dhe punësimit”

  • Postuar më, 17/10/2018

“Problemi i këtij vendi nuk është pasuria dhe të pasurit, por varfëria dhe të varfërit. Ne nuk synojmë të pakësojmë numrin e të pasurve, por të të varfërve. Të pasurit të paguajnë taksat një për një, ndërsa të varfërit po i nxjerrim nga varfëria, duke i rikthyer në tregun e punës”. Kështu e filloi fjalën Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi në Tryezën e organizuar prej tij “Të ulim varfërinë nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm dhe punësimit”, me rastin e ditës botërore kundër varfërisë, më 17 tetor 2018.

Në këtë veprimtari morën pjesë edhe Zëvendëskryetarja e Kuvendit znj.Vasilika Hysi, Zëvendëskryeministrja znj.Senida Mesi, Ministri i Financave dhe Ekonomisë  z.Arben Ahmetaj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj.Ogerta Manastirliu, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit znj.Lindita Nikolla, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z.Niko Peleshi, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë z.Erjon Braçe, deputetë, Avokatja e Popullit znj.Erinda Ballanca, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, drejtues të agjencive shtetërore të shërbimeve publike, përfaqësues të grupeve të interesit nga punëdhënësit dhe përfituesit e shërbimeve sociale si edhe ekspertët nga më të njohurit të ekonomisë, zhvillimit dhe politikave sociale

Në fjalën e tij në këtë tryezë, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vlerësoi  reformat e rëndësishme e rezultative që ka ndërmarrë Qeveria gjatë pesë vjetëve të fundit për sistemin e mirëqenies, si për pensionet, punësimin, ndihmën e shërbimet sociale, luftën kundër informalitetit etj.

Këto reforma, të cilat kanë cuar në një rritje ekonomike deri në 4%, rritje të punësimit me 8%, shtim në fondin e pensioneve të rreth 200 mijë janë garanci për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Megjithatë zhvillimi nuk është “përkthyer” tërësisht në mirëqenie për qytetarët. Në programet e mbrojtjes shoqërore ka ende rezerva të pashfrytëzuara. Prandaj duhet punaur që varfëria të ulet kryesisht nëpërmjet zhvillimit, shtimit të pasurisë kombëtare, jo vetëm nëpërmjet programeve rishpërndarëse.

Duke vlerësuar arritjet e deritanishme në sistemin e mirëqenies, Kryetari i Kuvendit paraqiti disa propozime konkrete, me sugjerimin që ato “të përkthehen” në ndryshime ligjore apo të administrimit të programeve sociale.

Këto ndryshime lidhen me fuqizimin e tregut të punës dhe sistemit të mirëqenies dhe administrimin më të mirë të programit aktual të Ndihmës Ekonomike.

Kryetari i Kuvendit propozoi midis të tjerash që përfshirja në skemën e pensioneve e rreth 400 mijë të vetëpunësuarve në bujqësi, si kontribues potencialë që i mungojnë Fondit të pensioneve, mund të realizohet nëpërmjet një programi afatgjatë të mbështetjes me subvencione, me kusht që të paguajnë kontributet. Në këtë mënyrë do të realizohet objektivi i Qeverisë që, për të shëndoshur skemën e pensioneve, numri i kontribuesve në vitin 2021 të arrijë në rreth 1 milion, nga rreth 750 mijë që ishte në vitin 2017.

Kryetari i Kuvendit propozoi edhe ndryshime në programin e Ndihmës ekonomike, si rritja e transparencës në administrimin e programit, rritja e kufirit maksimal të masës së Ndihmës Ekonomike mbi kufirin 8 mijë lekë, rritjen e përfitimit për familjet në varfëri ekstreme ose me nevoja të veçanta, duke mundësuar progresivitetin në dhënien e ndihmës, sipas shkallës së varfërisë së familjeve përfituese.

Pjesë e propozimeve ishte edhe pilotimi i aplikimit të granteve blegtorale për familjet përfituese të ndihmës në fshat, modeli sipas të cilit familjet që përfitojnë ndihmë në fshat, tu jepen në pronësi, falas, për nevojat e tyre krerë bagëtish, në varësi të zonës ku jetojnë. Këto grante janë shumë efiçente sepse kostoja e tyre, e shtrirë në një periudhë tre-katër vjeçare, rezulton më e ulët sesa kostoja e Ndihmës Ekonomike. Kjo do të mundësonte heqjen graduale nga programi i Ndihmës dhe hyrjen e familjeve fshatare në tregun e punës në blegtori.

Përveç propozimeve të mësipërme, Kryetari i Kuvendit propozoi edhe vendosjen e dënimeve penale për punëdhënësit që u kërkojnë punëtorëve tu kthejnë një pjesë të pagës.

Rreth propozimeve të Kryetarit të Kuvendit u diskutua nga Zëvendëskryeministrja znj.Senida Mesi, anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të grupeve të interesit dhe ekspertët. Këto propozime, pasi të shqyrtohen nga grupet e interesit dhe ekspertët, do tu paraqiten për shqyrtim komisioneve parlamentare.