Miratohet opinioni i Përbashkët i komisionit të Venecias dhe OSBE/ ODIHR lidhur me projektligjin "Për nismën legjislative të shtetasve në Republikën e Shqipërisë.

  • Postuar më, 19/10/2018

Sot paradite, Komisioni i Venecias zhvilloi një sesion shkëmbimi pikëpamjesh mbi projektligjin “"Për nismën legjislative të shtetasve në Republikën e Shqipërisë”, ku ishte e pranishme znj. Vasilika Hysi, zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ky opinion u kërkua nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Z. Gramoz Ruçi, pak javë më parë.  Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë mirëpriti në Tiranë një mision të Komisionit, i cili u takua me përfaqësues të institucioneve shqiptare e  deputetë dhe diskutoi rreth çështjeve të veçanta të projektligjit.

Në fjalën e saj në sesionin e sotëm  znj. Hysi i shprehu Presidentit të Komisionit z. Buquicchio, mirënjohjen dhe falenderimet në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarit, z. Gramoz Ruçi, për mbështetjen dhe asistencën që Komisioni i Venecias, vecanërisht Presidenti i tij, i kanë dhënë reformave në Shqipëri, në mënyrë të veçantë reformës në drejtësi.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë i ka adresuar Komisionit të Venecias dy kërkesa për opinione: e para, lidhur me këtë projektligj që u diskutua sot, dhe e dyta, kërkesa për opinion për projetkligjin për vetingun e politikanëve.
Znj. Hysi  vlerësoi pranimin e kërkesave si edhe fleksibilitetin e shpejtësinë e përfshirjes së tyre në agjendën e punimeve të këtij Komisioni, si dhe ftesën për të shkëmbyer mendime lidhur me projektligjin  për  nismën ligjvënese të shtetasve shqiptarë.
Projektligji për nismën ligjvënese të shtetasve, synon të rregullojë procedurat për ushtrimin e nismës ligjvënëse të shtetasve në Republikën e Shqipërisë. Kjo e drejtë është e sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Që nga miratimi i Kushtetutës, 20 vite më parë, një ligj i tillë ka munguar.  Por, pjesëmarrja e publikut në diskutimin, ndryshimet dhe përmirësimet e ligjeve ose miratimin e ligjeve të reja nuk ka munguar.
“Propozime të grupeve të interesit janë adresuar nga deputetë të Kuvendit në diskutimin e  një  projektligji ose janë depozituar si nisma deputetësh. Kuvendi i Shqipërisë ka një praktikë të mirë parlamentare që mundëson konsultim publik të projektligjeve dhe pjesëmarrjen e grupeve të interesit, veçanërisht të shoqërisë civile në procesin e ligbërjes. Pothuajse të gjitha projektligjet përmbajnë mendime dhe propozime të shoqërisë civile që janë paraqitur si nisma/propozime deputeti.”, u shpreh znj. Hysi në fjalën e saj.
Në vijim znj. Hysi vlerësoi projekt opinionin dhe kontributin e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe ODIHR, konkretisht të z. Kask, z. Pinelli dhe znj. Otiashvili si dhe parashtroi  disa pyetje e çështje që kanë nevojë të qartësohen ose diskutohen më në detaje gjatë procesit të rishikimit të projektligjit.
Gjithashtu anëtarët e Komisionit të Venecias u njohën me standardet e vendosura në Kodin e Sjelljes dhe në udhëzuesin e zbatimit të tij lidhur me kontaktet e deputetëve me grupet e interesit dhe lobistët si dhe transparencën financiare të shpenzimeve të nismave ligjore të hartuara nga grupet e interesit dhe/ose deputetë.
Në  fund të fjalës së saj znj. Hysi shprehu falenderimet për ekspertët dhe komisionin për opnionin e shprehur dhe ftesën për të qënë e pranishme e për të shkëmbyer mendime dhe shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me ekspertët e komisionit të Venecias dhe OSBE/ ODIHR për përmirësimin e projektligjit, bazuar në rekomandimet e miratuara dhe në zbatimin e tij, pas miratimit.
Në përfundim të sesionit, u miratua opinioni i Përbashkët i  Komisionit të  Venecias  dhe OSBE/ ODIHR mbi projektligjin "Për nismën legjislative të shtetasve në Republikën e Shqipërisë”.