Komisioni për Çështjet Ligjore, miratoi dy kandidatët e propozuar nga shumica parlamentare për anëtarë të KQZ

  • Postuar më, 30/10/2018

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy kandidatët e propozuar nga shumica parlamentare për anëtarë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Në mbledhjen e sotme të komisionit u zhvillua një seancë dëgjimore me kandidatët e propozuar nga shumica parlamentare për anëtarë të KQZ, të cilët ishin Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri.

Kryetari i grupit parlamentar të partisë Socialiste z. Taulant Balla bëri propozimin e kandidatëve për plotësimin e vakancave në KQZ,  ku theksoi se në këtë përzgjedhje është respektuar edhe kuota gjinore, të cilën e konsideroi të rëndësishme. “Pas konsultimit me të gjithë anëtarët e grupit parlamentar të partisë Socialiste dhe pas një vlerësimi se çfarë përfaqësojnë këto kandidatura, jam këtu sot që t’i propozoj komisionit tuaj në cilësinë e komisionit përgjegjës të përcaktuar, nga rregullorja e kuvendit.”,- tha z. Balla.

“Gjatë periudhës që kam qënë në KQZ në një palë zgjedhje, kemi arritur të përmirësojmë standardet gjatë procesit zgjedhor, dhe mendoj që përmirësimi është një evolucion i vazhdueshëm dhe në zgjedhjet e ardhshme të rrisim standardet e procesit zgjedhor.",- theksoi kandidati  z. Bledar Skënderi.

Më tej, mbledhja vazhdoi me seancën dëgjimore të kandidates tjetër znj. Rezarta Bitri e cila u shpreh: “KQZ është një institucion që kërkon përtej profesionalizmit, kërkon disa virtyte të cilat besoj se i përfaqësoj denjësisht. Eksperienca ime është një eksperiencë e fokusuar në fushën e ligjit.”

Pasi dëgjuan prezantimin e kandidaturave, relatori i çështjes z. Bledar Çuçi i propozoi komisionit hedhjen në votim të dy kandidaturave.

z. Bledar Skënderi dhe znj, Rezarta Bitri morën mbështetjen e anëtarëve të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut , duke i përcjellë kandidaturat për votëbesim seancës plenare.